Starti i dobët i sezonit i Tottenhamit nën drejtimin e Roberto De Zerbit po sjell pasoja edhe në aspektin komercial.
Kompania koreano-jugore Sidiz ka vendosur ta ndërpresë para kohe partneritetin me klubin londinez.
Tottenhami i ka grumbulluar vetëm dy pikë në pesë javët e para të Premierligës, duke u renditur në vendin e fundit së bashku me Fulhamin, pavarësisht një afati kalimtar veror ku klubi i shpenzoi rreth 400 milionë euro.
Sipas asaj që raporton “The Telegraph”, Sidiz, kompani që e furnizon me karrige qendrën stërvitore të Tottenhamit dhe tribunën e shtypit në stadium, e ka aktivizuar një klauzolë për ta ndërprerë para kohe bashkëpunimin, i cili do të përfundojë në fund të tetorit, përcjell “Gazeta Express”.
Ky është largimi i dytë i një sponsori nga Tottenhami brenda vetëm gjashtë muajve, pas atij të Kumho Tyre.
Tottenhami nuk e ka komentuar këtë situatë. Gjithsesi, Sidiz konsiderohet një partner i një niveli më të ulët krahasuar me sponsorët kryesorë të klubit, si AIA, Betano dhe Kraken.
Nga ana tjetër, Spurs i kanë nënshkruar tetë marrëveshje të reja komerciale gjatë këtij sezoni, ndërsa kanë rinovuar edhe partneritete të rëndësishme me kompani si Cadbury dhe Hewlett Packard Enterprise.
Ajo që shqetëson më shumë është tendenca e viteve të fundit. Sipas Sean Connell, drejtor i “The Sponsor”, vlera e sponsorizimeve të Tottenhamit ka rënë nga 49.3 milionë funte në vitin 2024 në 29.8 milionë funte në vitin 2026.
Sipas tij, kjo rënie i atribuohet kryesisht rezultateve në fushë, largimit të lojtarëve kryesorë si Harry Kane dhe Son Heung-min, si dhe ekspozimit më të ulët të sponsorëve në kompeticionet evropiane.
Edhe përfundimi për të dytin vit radhazi në vendin e 17-të ka ndikuar në uljen e ndjeshme të vlerës komerciale të klubit londinez.
Tani, Tottenhami po përballet me një situatë të vështirë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, në një sezon që kishte nisur me pritshmëri të mëdha pas investimeve të konsiderueshme në merkato.