Kapiteni i kombëtares së Holandës, Virgil van Dijk, pati një debat të tensionuar me gazetarët gjatë konferencës për media të mbajtur sot në Zeist.
Futbollistit të Liverpoolit nuk i pëlqyen disa nga pyetjet dhe pretendimet e gazetarëve, ndërsa përplasja më e drejtpërdrejtë ndodhi me Valentijn Driessen, redaktorin sportiv të “De Telegraaf”.
Gjithçka nisi pas një pyetjeje të gazetares Noa Vahle. Van Dijk e cilësoi si “marrëzi të plotë” pretendimin se ideja për të luajtur me pesë mbrojtës kundër Marokut në Botëror ishte e tij.
Sipas Van Dijk, këtë mundësi e kishin sugjeruar vetë gazetarët verën e kaluar.
Më pas, Van Dijk pati diskutime të tensionuara edhe me Maarten Wijffels dhe Martijn Krabbendam, përpara se në bisedë të përfshihej Driessen.
Driessen: “Virgil, sot qenka shumë e lodhshme, apo jo? Je paksa i mërzitur. Zakonisht je tip mjaft simpatik.”
Van Dijk: “Ndonjëherë disa gjëra duhet të thuhen. Nuk mund të dëgjoj gjithmonë vetëm ankesa.”
Driessen: “Por mund të jesh pak më i hapur, apo jo? Je shumë i shkurtër në përgjigje.”
Van Dijk: “Këtu nuk po bëjmë bisedë. Në një konferencë për media duhet vetëm të bësh pyetje.”
Driessen këmbënguli se Van Dijk mund të përgjigjej më gjatë.
Van Dijk: “Nuk kam asnjë problem me pjesën më të madhe të mediave dhe nuk e kam pasur kurrë. Por kur publikohen marrëzira, çfarë duhet të bëj unë me këtë?”
Driessen i tha se duhet të fliste me mediat që ishin përgjegjëse për pretendime të tilla.
Van Dijk: “Po a nuk po flas pikërisht tani me ta?”
Pas kësaj, debati përfundoi.