Kristian Shpendi e ka nisur me shumë vrull këtë sezon në Serinë B, duke shënuar me një rregullsi të admirueshme pasi ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë në 5 ndeshjet e para të sezonit me Çezenën.
Dhe për drejtorin sportiv të klubit, Andrea Mançini, kjo është vetëm rrjedhojë e rritjes së futbollistit i cili ka disa veçori të rralla për ditët e sotme.
“Nuk do të jetë e lehtë ta mbajmë, le të arrijmë te muaji janar në formën më të mirë të mundshme dhe më pas do të shohim. Jam i lumtur për Kristianin sepse e meriton; ai është një djalë i shkëlqyer dhe një lojtar i talentuar. Jam i lumtur edhe për ne, sepse mbajtja e tij në skuadër ka qenë një vlerë e shtuar e vërtetë.
Ai padyshim zotëron instinktin vrasës të sulmuesit, diçka që po bëhet gjithnjë e më e rrallë në futbollin e sotëm.
Nuhatja e tij për golin është mbresëlënëse. Sipas mendimit tim, ai ka cilësi shumë të rëndësishme he golat e tij janë gjithashtu rezultat i punës së palodhur të skuadrës.
Ekipi e mbështet atë dhe ne duhet të përpiqemi ta vendosim në pozicionin më të mirë për të shënuar.
Për momentin, skuadra po bën pikërisht këtë”, shpjegoi drejtuesi i klubit italian i cili në ditët e fundit të merkatos vendosi të mos lejonte transferimin e tij te Kremoneze që ofronte 4 milionë euro për lojtarin.