Për Francën nis një kapitull i ri. Në debutimin në Nations League, në stolin e “Gjelave” ulet një emër legjendar i futbollit, Zinedine Zidane.
Pas 14 vitesh në drejtimin e kombëtares, Didier Deschamps i ka dhënë fund aventurës së tij, një periudhë e artë e kurorëzuar me titullin kampion bote në vitin 2018.
Tani radha i takon Zidane, i cili vjen me një eksperiencë të pasur edhe si trajner, me 11 trofe të fituar. Objektivi është i qartë, të rikthejë Francën në majat e futbollit ndërkombëtar, pas vendit të katërt në Botërorin e fundit.
“Ndjehem jashtëzakonisht i nderuar që drejtoj këtë kombëtare. Na pret një ndeshje e vështirë dhe duhet të jemi të përgatitur. Nuk do të jetë vetëm një çështje e mesfushës, por duhet të jemi të përqendruar në çdo repart. Turqia është një skuadër shumë e mirë. Edhe pse u eliminua herët në Botëror, meritonte më shumë. E dimë se përballë do të kemi një kundërshtar konkurrues, që mund të na krijojë probleme”, tha Zidane.
Pikërisht përballë do të jetë Turqia e Vincenzo Montellës, që vjen në një moment më të komplikuar.
Në Botërorin e fundit, turqit u eliminuan që në fazën e grupeve, duke regjistruar vetëm një fitore, atë 3-2 ndaj Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, në Nations League historia është ndryshe. Turqia siguroi ngjitjen në Ligën A pas dy fitoreve ndaj Hungarisë në play-off, me rezultatin e përgjithshëm 6-1.
Në shtëpi, statistikat japin arsye për optimizëm. Turqia nuk ka humbur në nëntë ndeshjet e fundit në Nations League, duke regjistruar gjashtë fitore dhe tre barazime.
Sa i përket formacioneve, te “Gjelat” vëmendja në repartin ofensiv do të jetë te Kylian Mbappe dhe Michael Olise, ndërsa William Saliba do të mungojë për shkak të dëmtimit.
Në krahun tjetër, Turqisë do t’i mungojnë Hakan Çalhanoğlu dhe Kenan Yıldız, me shpresat që do të mbështeten te Kerem Aktürkoğlu.
Një sfidë me shumë pikëpyetje, që shënon rikthimin e Zinedine Zidane, pikërisht në Turqi.