Kombëtarja e futbollit e Kroacisë mundi Çekinë 2:1 në ndeshjen e parë të Grupit A3 të Ligës së Kombeve.
Kjo ishte edhe ndeshja e parë e Kroacisë në mandatin e ri të Slaven Biliç, i cili u rikthye në stolin e trajnerit pas vitit 2012. Kroacinë e presin edhe tri ndeshje të tjera gjatë këtij grumbullimi të kombëtares. E para është të martën, më 29 shtator, kundër Spanjës në Sevilla.
“Fillimisht i përgëzoj lojtarët për një fitore të rëndësishme. Liga e Kombeve është e rëndësishme, të gjithë i qasen seriozisht. Nuk ndryshon shumë nga Kupa e Botës.
E merituam fitoren. Në pjesën e parë dominuam, gjë që shihet edhe nga statistikat, por na mungoi goditja nga distanca. Donim të futeshim me top deri në portë, gjë që është e vështirë.
Duhej ta provonim edhe atë, por nuk ka problem.
Dominuam, e rifitonim topin dhe ishim të mirë në presing. Vazhduam në të njëjtën mënyrë edhe në pjesën e dytë dhe shënuam gol. Kur dukej, të paktën për mua, se do të shënonim edhe golin e dytë, bëmë disa gabime teknike brenda dy minutash dhe pësuam gol.
Në ndeshjet jashtë fushe kjo sidomos lë gjurmë. Fillon të ndihesh nervoz, sepse dëshiron të fitosh.
Ata patën edhe një rast serioz për 2:1, por ne e morëm epërsinë në mënyrë të merituar. Djemtë që hynë nga stoli ishin të shkëlqyer dhe jam i kënaqur. Për ndeshjen e parë, kjo është e mjaftueshme.
Nuk më pëlqen të veçoj lojtarë, sepse gjithmonë bëhet fjalë për kolektivin, por duhet t’i veçoj Kovaçiçin dhe Modriçin. Ata njihen si binjakë dhe kështu edhe ndihen në fushë.
Modriç është për ne gjithçka sa i përket qetësisë, ndërsa Kovaçiç është krah në mes të fushës. Nuk ekziston lojtar në botë që ai nuk mund ta kalojë.
Respekt për të gjithë, por tre lojtarët që kanë vrapuar më shumë janë ata ‘më të vjetrit’: Modriç, Kovaçiç dhe Perishiç.
Ndeshja e radhës është kundër Spanjës.
Nuk duhet të lejojmë që rezultati të vuajë, por të gjithë do të kenë mundësinë të luajnë. Nuk është matematikë që mund të themi se kur do të luajë kush.
Synimi ynë është të zbresim në fushë me formacionin më të mirë që kemi, duke pasur parasysh se kemi një ndeshje pas tri ditësh dhe se para kësaj ndeshjeje kishim luajtur tri ditë më parë”, tha Biliç.
Kroacinë tani e presin disa ndeshje të rëndësishme: më 29 shtator udhëton në Spanjë, më 3 tetor pret Anglinë në Rijekë, ndërsa më 6 tetor në ‘Polud’ do të përballet sërish me Spanjën.