Si është gjendja e Pablo Osvaldos? Familja qetëson

Futboll

Si është gjendja e Pablo Osvaldos? Familja qetëson

Më: 27 shtator 2026 Në ora: 17:49
Osvaldo

Lajme pozitive vijnë nga Argjentina për gjendjen shëndetësore të ish-futbollistit Pablo Daniel Osvaldo.

40-vjeçari është i kthjellët dhe nuk ndodhet nën sedacion, por vijon të qëndrojë i shtruar në repartin e terapisë intensive në spitalin bashkiak të Llavallolit, ku u transferua pas një infeksioni në mushkëri.

Osvaldo do të vazhdojë të mbahet nën vëzhgim nga mjekët, ndërsa priten rezultatet e biopsisë së kryer nga mostrat e marra në pleurë. Këto rezultate pritet të jenë të rëndësishme për përcaktimin e trajtimit që do të ndjekë ish-sulmuesi.

Osvaldo u shtrua me urgjencë të enjten në mbrëmje, pasi për disa ditë kishte pasur simptoma që ua kishte përshkruar familjarëve si një ftohje e fortë. Kontrollet mjekësore zbuluan një grumbullim lëngu në anën e djathtë të hapësirës pleurale, ku kishte edhe prani të qelbit, duke bërë të nevojshëm një ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë operacionit, mjekët morën edhe mostra për t’i analizuar përmes biopsisë.

Rezultatet do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të infeksionit dhe trajtimit të mëtejshëm, si dhe në vendimin nëse Osvaldo mund të transferohet në një repart të zakonshëm apo duhet të vijojë qëndrimin në terapi intensive.

“Është mirë dhe është i kthjellët”, ka deklaruar familja e ish-futbollistit për gazetën argjentinase “Clarín”.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar shkaku i infeksionit dhe për këtë arsye nuk ka një diagnozë përfundimtare. Sipas familjarëve, lajmi pozitiv është se problemi është zbuluar dhe trajtuar në kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat