Shqipëria sfidon sonte në mbrëmje San Marinon, për llogari të raundit të dytë të Ligës së Kombeve, ku momentalisht ndodhet në Ligën C dhe synon ngjitjen më lart.
Kjo përballje është e një rëndësie tepër të madhe, nëse marrim në konsideratë objektivin për të shkuar të parët në grup, ashtu siç kanë qenë edhe pretendimet e deklaruara, si nga ana e trajnerit Rolando Maran, por edhe vetë futbollistës.
Pikërisht, në këtë duel, që në “matje” niveli mund të përbëjë një test të lehtë “në letër”, fusha i vërteton të gjitha, ndaj edhe nënvlerësimet nuk janë rruga e duhur për të shkuar drejt qëllimit, siç edhe e konfirmuan në konferencën për shtyp trajneri dhe kapiteni Berat Gjimshiti, të cilët pohuan përqëndrimin maksimal.
Nëse i referohemi projeksioneve për titullarët që mund të zbresin që prej minutës së parë në fushë, gazetari sportiv Gentian Alinani krijoi një “panoramë” të qartë se si do të jetë rreshtimi i italianit për këtë duel. Mes shumë emrave të lakuar për të fituar një fanellë titullari, mendohet edhe Anis Mehmeti. Mesfushori i Ipswich mund të marrë besimin e Maran për të “shpërthyer” të gjithë potencialin e tij përballë një kundërshtari që të lejon të fantazosh.
Vetë Mehmeti, mund të konsiderohet edhe si “oguri” i Maran, jo vetëm në aspektin e “kartës” për të sulmuar në ofensivë kundërshtarin, por edhe në nivel “kartoni”. Kjo pasi vlera e lojtarit është shumë herë më e lartë se e gjithë ekipit të San Marinos, plot 15 milionë euro sipas “Transfermarkt”.
Distanca është e madhe pasi kontigjenti i skuadrës së drejtuar nga Roberto Cevoli vlen 1.18 milionë euro, portieri Edoardo Colombo më i shtrenjti, 350 mijë euro.