Zvicra ka shënuar fitore të thellë 3:0 në udhëtim ndaj Skocisë, në ndeshjen e Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Me këtë fitore, Zvicra kryeson grupin me 6 pikë, e ndjekur nga Sllovenia me 4, Skocia me 3 dhe Maqedonia e Veriut me 0 pikë.
Futbollisti Ardon Jashari e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe tregoi angazhim në fitoren e Zvicrës në Glasgou. Mesfushori shqiptar u zëvendësua në minutën e 71-të.
Ndeshja mori një kthesë të madhe që në minutën e 11-të, kur Jack Hendry u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Skocinë me një lojtar më pak.
Vetëm një minutë më vonë, Ricardo Rodriguez ekzekutoi në mënyrë fantastike një goditje dënimi, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të djathtë për 0:1.
Në minutën e 55-të, Dan Ndoye e dërgoi topin në zonë, ndërsa Nico Elvedi përfitoi nga krosimi dhe me një goditje të ulët e dërgoi topin në qendër të portës për 0:2.
Zvicra e vulosi fitoren në minutën e 82-të. Dan Ndoye gjeti mirë Zeki Amdounin në hyrje të zonës, ndërsa ky i fundit me një goditje të menjëhershme e dërgoi topin në anën e djathtë të portës për 0:3.