Si një ish-kapiten i vërtetë, Roy Keane e mbron ende ish-bashkëlojtarin e tij, Cristiano Ronaldon.
Irlandezi, i cili ishte kapiten i CR7-shit te Manchester Unitedi, foli për situatën e fundit të Ronaldos te Portugalia me trajnerin Jorge Jesusin.
Ronaldo gjatë ditës së djeshme u largua nga kampi i Portugalisë në Danimarkë, pasi raportohet se pati një përplasje me trajnerin Jesus, derisa Ronaldo u ‘ankua’ për konferencën e fundit për shtyp të trajnerit.
Keane i tha Ronaldos që ta harrojë kombëtaren e të fokusohet te një arritje tjetër.
“Unë mendoj se Cristiano Ronaldo duhet ta harrojë kombëtaren dhe të fokusohet te arritja e shifrës prej 1,000 golash. Ai ka bërë gjithçka për Portugalinë dhe ata ende nuk e respektojnë. Të gjithë trofetë që i kanë tani në kabinetin e tyre janë aty falë asaj që bëri Ronaldo. Ata duhet të tregojnë më shumë respekt për emrin e tij”, tha ai.
Cristiano Ronaldo reagoi mbrëmë rreth kësaj situate, me një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.
“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të kombëtares, dhe pas një bisede me presidentin e Federatës së Futbollit të Portugalisë, kam vendosur të largohem nga kombëtarja.
Ndërkohë, do t’i tregoj të gjithë portugezëve arsyet e mia të largimit nga kombëtarja, ndaj të cilës jam përkushtuar shumë. Tani është koha t’i uroj suksese Portugalisë dhe bashkëlojtarëve të mi”, shkroi ai.
Ronaldo ia fitoi tre trofe Portugalisë gjatë kohës së tij me kombëtaren, duke fituar EURO 2016 dhe Ligën e Kombeve më 2019 e 2025.