Dy sfida të rëndësishme të Ligës së Kombeve rikthejnë vëmendjen te lufta për kreun e grupit. Kroacia pret sot Anglinë, në një përballje ku tre pikët janë thuajse të domosdoshme për të dyja skuadrat.
Kroatët kërkojnë reagimin pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Spanjës, ndërsa më herët kishin triumfuar përballë Republikës Çeke.
Në krahun tjetër, Anglia vjen pas fitores 2-0 ndaj çekëve, duke lënë pas humbjen 3-2 ndaj Spanjës në debutim.
“Tre Luanët” synojnë të vijojnë ndjekjen e Spanjës në krye dhe mbështeten edhe te një statistikë pozitive, 8 fitore radhazi në transfertë në ndeshjet zyrtare. Anglia ka fituar tre përballjet e fundit direkte ndaj Kroacisë, përfshirë triumfin 4-2 në Botërorin e fundit.
Te kroatët, vëmendja është te Dion Beljo, i cili ka shënuar pesë gola në katër paraqitjet e fundit me klubin dhe kombëtaren. Ndërsa për Anglinë, një prej rreziqeve kryesore pritet të jetë Anthony Gordon, i cili ka gjetur rrjetën në tre paraqitjet e fundit me fanellën angleze.
Ndërkohë, Spanja kërkon të ruajë ritmin perfekt dhe kreun e grupit. Kampionët në fuqi kanë fituar dy ndeshjet e para, ndaj Anglisë dhe Kroacisë, dhe vijnë me një seri prej 40 ndeshjesh pa humbje, 30 fitore dhe 10 barazime. “La Roja” përballet me Republikën Çeke, e cila ka humbur dy takimet e para dhe rrezikon rikthimin në Ligën B.
Spanja nuk ka humbur në shtatë përballjet e fundit direkte ndaj çekëve, me pesë fitore dhe dy barazime. Lamine Yamal është një prej lojtarëve kryesorë të Spanjës, ndërsa te çekët pritet të jetë i rëndësishëm Adam Hložek. Kroaci-Angli luhet në orën 18:00, ndërsa Spanjë-Republikë Çeke nis në orën 20:45.