Kombëtarja e Anglisë e mposhti Kroacinë me rezultat të thellë 0:7 në “Rujevica” të Rijekës, në kuadër të xhiros së tretë të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Pas ndeshjes, selektori i Anglisë, Thomas Tuchel, nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e ekipit të tij. Ai veçoi faktin se Anglia nuk e uli ritmin as pasi praktikisht e kishte siguruar fitoren.
“Pas rezultatit 3:0, ndoshta për tri minuta bëmë një gabim të madh dhe e humbëm topin lehtësisht disa herë. Por në përgjithësi ishte një paraqitje në nivel të lartë për të gjitha 90 minutat.
Nga minuta e parë deri në të fundit, nga çdo lojtar që startoi deri te ata që hynë nga banka rezervë. Ishte niveli më i lartë dhe e përgëzoj ekipin.
Në një ndeshje si mysafirë ishte diçka shumë mbresëlënëse. Krijuam shumë raste. Që nga fillimi ishim shumë të rrjedhshëm në lojën tonë.
Mbaj mend se shikova orën dhe mendova: ‘Uau, këto ishin tri minutat e para shumë të mira.’ Pastaj e shikova përsëri dhe kishin kaluar shtatë minuta, të cilat gjithashtu ishin shumë të mira. Dhe kjo nuk u ndal më.
Vazhduam ta mbanim ritmin, luajtëm në hapësirat e lira dhe ishim shumë efikasë. Qëndruam të uritur në presingun pas humbjes së topit dhe në mbrojtje, duke i bërë gjërat bazë siç duhet.
Më pëlqeu qëndrimi i ekipit. Gjithmonë luajtëm me përulësi. Gjithmonë i bëmë gjërat bazë siç duhet dhe për këtë arsye ishte një paraqitje perfekte”, deklaroi Tuchel për ITV.