Bayern Munih është i vendosur ta vazhdojë bashkëpunimin me Harry Kane, ndërsa negociatat mes palëve po ecin në drejtimin e duhur.
Sipas ESPN, drejtuesit e klubit bavarez janë shumë optimistë për arritjen e një marrëveshjeje të re me sulmuesin anglez, i cili është përshtatur mjaft mirë në skuadrën gjermane.
Drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund, ka konfirmuar se klubi është “shumë pozitiv” për ecurinë e bisedimeve, megjithëse deri më tani nuk është nënshkruar asnjë kontratë e re.
Ndërkohë, raportimet nga Gjermania bëjnë të ditur se palët kanë arritur një marrëveshje në parim për vazhdimin e kontratës deri në vitin 2029.
Kane ndihet shumë mirë te Bayerni, ku është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës.
Për këtë arsye, të dyja palët janë të interesuara që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Nëse marrëveshja finalizohet, Bayerni do të sigurojë vazhdimësinë me njërin prej sulmuesve më të rëndësishëm të ekipit, duke shmangur pasiguritë rreth së ardhmes së tij.