Portieri i Dinamos së Ferizajt, Leutrim Rexhepi, ka pësuar lëndim të rëndë në ndeshjen me Ferizajn.
Rexhepi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pas lëndimit.
“Portieri ynë, Leutrim Rexhepi, ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale pas lëndimit të rëndë të pësuar në ndeshjen kundër FC Ferizaj, ku u detyrua ta braktisë fushën dhe të transportohet me ambulancë drejt spitalit.
Pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore, te Leutrimi është konstatuar këputje totale e tendinit të Akilit, një dëmtim serioz që kërkoi trajtim të specializuar dhe ndërhyrje kirurgjikale.
Pas vlerësimit të gjendjes së tij shëndetësore, është realizuar ndërhyrja kirurgjikale, e cila tashmë ka përfunduar.
FC Dinamo Ferizaj shpreh mirënjohjen e veçantë për Dr. Amir Veselin, i cili ndërpreu pushimin e tij për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale të Leutrimit, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.
Një falënderim i sinqertë i dedikohet gjithashtu familjes së Leutrimit, si dhe anëtarëve të klubit tonë, Gramoz Rushiti dhe Alban Elezi, për mbështetjen, përkushtimin dhe kujdesin e treguar gjatë kësaj periudhe.
Në këtë moment të vështirë, i gjithë klubi qëndron pranë Leutrimit, duke i ofruar mbështetjen e plotë në rrugëtimin e tij drejt rikuperimit.
Forca, Leutrim! Dinamo është me ty!”, ka njoftuar FC Dinamo.
Dje, skuadra e Dinamos pësoi humbje me rezultat 4:1 nga Ferizaj. Aktualisht renditet në vend të dytë me 19 pikë të grumbulluara.