Dinamo do të presë Egnatian, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, është e përcaktuar të nisë në orën 18:30.
“Nëndetësja Blu” është e detyruar të reagojë, kjo edhe për shkak të dy humbjeve në dy javët e fundit të kampionatit, përkatësisht atë me Teutën 0-2 dhe me Vllazninë 1-0.
Përballja e radhës për ekipin e Ilir Dajës është ajo me Egnatian.
Një “përplasje” direkte mes vendit të dytë dhe të tretë, ndërsa kryeqytetasit e shohin si një mundësi të mirë për t’u kthyer te fitorja.
Distanca me kreun ka shkuar në 7 pikë, e konsiderueshme për garën drejt titullit dhe ambicies që ka pikërisht Dinamo këtë sezon. Verdikti i fushës do të tregojë qartë nëse “Nëndetësja” do të reagojë pikërisht ndaj kampionëve në fuqi, apo do të ketë një tjetër “ndalesë” të rrezikshme që do të komplikonte jo pak luftën në distancë me Teutën kryesuese.