Egnatia synon të vazhdojë ecurinë pozitive në arenën europiane, teksa këtë të enjte përballet me skuadrën daneze të Aarhusit, në një sfidë ku të dyja ekipet kërkojnë fitoren e parë në Conference League.
Kampionët e Shqipërisë e nisën aventurën europiane me një barazim 1-1 ndaj Midtjylland, ndërsa në kampionat u rikthye te fitorja, duke triumfuar 3-1 përballë Vllaznisë.
Rezultatet e fundit tregojnë se ekipi i drejtuar nga Nevil Dede po kalon një periudhë pozitive, me pesë fitore në shtatë ndeshjet e fundit zyrtare.
Megjithatë, sfida në Danimarkë pritet të jetë një provë e rëndësishme për rrogozhinasit, të cilët kanë shfaqur vështirësi në transfertë.
Katër nga gjashtë humbjet e trajnerit Nevil Dede kanë ardhur në ndeshjet jashtë fushe, edhe pse paraqitjet europiane japin arsye për optimizëm.
Në gjashtë takimet e fundit europiane në transfertë, Egnatia ka regjistruar vetëm një humbje brenda 90 minutave.
Nga ana tjetër, Aarhusi vjen pas humbjes minimale 1-0 ndaj Gentit në ndeshjen e parë europiane, por në kampionat arriti të marrë një barazim 1-1 ndaj Copenhagenit, një prej skuadrave më të forta daneze.
Skuadra e drejtuar nga Jakob Poulsen kërkon të shfrytëzojë avantazhin e fushës, megjithëse ndeshjet europiane si pritëse i zhvillon në Cepheus Park të Randersit, pasi stadiumi i saj nuk plotëson standardet e kërkuara nga UEFA.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy skuadrave dhe gjithashtu ndeshja e parë e Aarhusit kundër një klubi shqiptar.
Egnatia synon të dëshmojë se mund të konkurrojë denjësisht edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa një rezultat pozitiv në Danimarkë do të përbënte një tjetër hap të rëndësishëm për kampionët shqiptarë në aventurën e tyre europiane.