Një ndeshje tjetër, një tjetër objektiv

Futboll

Një ndeshje tjetër, një tjetër objektiv

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 12:48
Barcelona

Humbja nga PSG-ja ishte një goditje për Barcelonën, e cila e pa të ndërpritej ecuria e saj pozitive pas një ndeshjeje me ritëm të lartë dhe shumë raste shënimi.

Megjithatë, sipas raportimit të gazetës spanjolle “Sport”, brenda dhomës së zhveshjes së skuadrës ekziston bindja se rezultati në Paris nuk do ta përcaktojë mënyrën se si katalunasit do të paraqiten në duelin e së dielës kundër rivalit të përjetshëm.

Barcelona e di se përballja me Real Madridin ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për pikët në kampionat, por edhe për prestigjin dhe rivalitetin historik mes dy klubeve.

Për këtë arsye, skuadra e Hansi Flickut synon ta analizojë humbjen ndaj PSG-së, t’i korrigjojë gabimet e bëra dhe të hyjë në “El Clásico” me besim në aftësitë e saj.

Ndeshja në Paris tregoi se Barcelona mund të krijojë raste dhe të shënojë ndaj kundërshtarëve të nivelit më të lartë, por njëkohësisht i nxori në pah edhe problemet që duhet të zgjidhen, veçanërisht në fazën mbrojtëse.

Përgatitjet për duelin me Real Madridin nuk do të jenë të lehta për trajnerin gjerman, pasi Barcelona i ka edhe probleme me lëndimet.

Dani Olmo e pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër PSG-së dhe gjendja e tij kërkon vlerësim mjekësor.

Ndërkohë, Eric Garcia dhe Jules Koundé kanë pasur probleme fizike, duke krijuar dilema për përbërjen e skuadrës.

Megjithatë, mesazhi nga kampi katalunas është i qartë: humbja në Evropë nuk duhet të ndikojë në qasjen ndaj ndeshjes më të rëndësishme të kampionatit.

Barcelona do të kërkojë reagim në fushë, ndërsa “El Clásico” i së dielës, më 25 tetor, në “Spotify Camp Nou”, pritet të jetë një test i madh për skuadrën e Flickut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat