Hakimi: Ishte një ndeshje fantastike

Futboll

Hakimi: Ishte një ndeshje fantastike

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 14:27
Achraf Hakimi

Achraf Hakimi nuk e fshehu krenarinë pas fitores së Paris Saint-Germainit ndaj Barcelonës me rezultat 4-2, në ndeshjen e vlefshme për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.

Kampionët në fuqi të Evropës vazhduan të dëshmojnë forcën e tyre në arenën ndërkombëtare. Pas fitores me rezultat identik ndaj Manchester Cityt një javë më parë, PSG-ja mposhti edhe Barcelonën, e cila deri në këtë përballje nuk kishte pësuar humbje gjatë sezonit.

“Kur luan kundër një skuadre të tillë, dëshiron t’u tregosh se jemi kampionët dhe se synojmë të vazhdojmë të fitojmë. Duam të dëshmojmë se jemi një nga skuadrat më të mira në botë, ndoshta edhe më të mirët për momentin”, deklaroi Hakimi për “CBS Sports”, përcjell “Gazeta Express”.

Në një prononcim për mediumin francez Foot Mercato, mbrojtësi maroken vlerësoi edhe nivelin e kundërshtarit.

“E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Përballë kishim një nga skuadrat më të mira në botë, e cila nuk kishte humbur ende këtë sezon. Por skuadra jonë është e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Barcelona arriti të rikthehej dy herë në rezultat, duke e bërë ndeshjen të luftohej deri në minutat e fundit. Megjithatë, PSG-ja tregoi forcën e saj dhe siguroi një tjetër fitore të rëndësishme evropiane.

“Ishte një ndeshje fantastike për tifozët, por edhe ne e shijuam në fushë. Në përballje të tilla duhet të mbrohemi dhe të sulmojmë në nivel shumë të lartë”, tha futbollisti i PSG-së.

Hakimi e bëri të qartë se objektivi kryesor i skuadrës pariziene për këtë sezon është fitimi i sërishëm i Ligës së Kampionëve.

“Kemi një objektiv të madh që duam ta realizojmë këtë vit: ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve. Synimi ynë është të vazhdojmë të fitojmë”, theksoi ai.

Mbrojtësi maroken vlerësoi edhe ndikimin e trajnerit Luis Enrique, i cili, sipas tij, kujdeset që skuadra të mos e humbasë mentalitetin fitues.

“Trajneri sigurohet çdo ditë që të mos e humbasim mentalitetin fitues. Ne japim maksimumin dhe shpresoj të vazhdojmë të arrijmë fitore”, përfundoi Hakimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat