Mjeshtri i pasimeve të përsosura

Futboll

Mjeshtri i pasimeve të përsosura

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 16:57
Mkitariani duke vepruar me top

Atij i mjaftuan vetëm dy minuta nga momenti kur hyri në fushë në vend të Bonit, rreth minutës së 30-të, për të gjetur Karlos Auguston me një nga ato pasime të tij të përkryera, sikur topi të drejtohej me telekomandë.

Mkitariani sheh hapësira që të tjerët nuk i dallojnë dhe vizaton trajektore mbi fushë si një piktor mbi telajo.

Madje, atij ndonjëherë nuk i duhet as të shikojë për ta dërguar topin pikërisht aty ku dëshiron.

Ai thjesht e di se ku duhet ta çojë.

Braziliani ishte në vendin e duhur për të goditur, ndërsa armenit i takoi ta furnizonte me një asist që meritonte duartrokitje. Bukuri dhe saktësi, të bashkuara në një aksion të vetëm. Kështu erdhi edhe goli që vendosi sfi dën e Champions League kundër Shakhtarit.

“Bëra vrapimin e jetës sime”, tha Karlos Augusto për Inter TV pas ndeshjes.

“Pastaj, Mkitarianin e njoh prej vitesh dhe e dija se do ta dërgonte topin pikërisht aty. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe gjysma e golit i takon atij”. Bashkëpunimi mes Mkitarianit dhe Karlos Augustos kishte funksionuar shkëlqyeshëm edhe të shtunën, në transfertën ndaj Bolonjës.

Armeni hyri në fushë në minutën e 79-të, në vend të Turamit, dhe vetëm katër minuta më vonë dha një pasim të përsosur për shokun e skuadrës. Braziliani e dërgoi më pas topin në qendër të zonës, ku Boni shënoi golin e tretë për zikaltërit.

Verën e kaluar, trajneri Kristjan Kivu këmbënguli që Mkitariani të qëndronte te Interi edhe pas përfundimit të kontratës, më 30 qershor.

Futbollisti, i cili në janar do të mbushë 38 vjeç, i zgjidhi vetë të gjitha çështjet. Nuk pati nevojë për agjentë apo këshilltarë për të negociuar dhe fi rmosur rinovimin me klubin zikaltër. “Në përvojën time kam gjetur vetëm një lojtar të tillë, që është mbi mesataren në çdo aspekt: në fushë, jashtë saj dhe në mënyrën se si menaxhon karrierën”, kishte deklaruar më parë ish-drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio.

“Armeni që ecën si tren është në një dimension tjetër”. Edhe Kivu e di mirë se sa i vlefshëm është mesfushori për skuadrën. Pas ndeshjes me Shakhtarin, trajneri theksoi rëndësinë e tij, si në aspektin profesional, ashtu edhe në funksionimin e grupit. “Interi ka nevojë për një njeri si ai, për profesionalizmin e tij shembullor dhe për rëndësinë që ka brenda grupit. Ai do të na ndihmojë shumë edhe këtë sezon”, u shpreh tekniku zikaltër.

Deri tani, Mkitariani është aktivizuar ndoshta më shumë nga sa parashikohej në fi llim të sezonit. Ai ka qenë titullar në dy ndeshje të kampionatit, kundër Udinezes dhe Parmës, duke dëshmuar se mosha nuk ia ka zbehur rëndësinë në lojën e Interit. Madje, kundër Shakhtarit, armenit iu paraqit edhe mundësia për të shënuar golin e dytë, pas një pasimi nga Turami.

Ai nuk zgjodhi të gjuante menjëherë dhe e humbi rastin. Por në atë moment, kryevepra e tij tashmë ishte realizuar. Sepse Mkitariani nuk ka nevojë gjithmonë të shënojë për të vendosur fatin e një ndeshjeje. Ndonjëherë mjafton një pasim i vetëm, një lëvizje e menduar në çastin e duhur dhe një top i dërguar pikërisht aty ku duhet. Dhe armenit këto gjëra i vijnë natyrshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat