Nico Williams i del kundër publikisht agjentit të tij

Futboll

Nico Williams i del kundër publikisht agjentit të tij

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 19:50
Nico Williams

Ndjekja e gjatë dhe e zvarritur e Barcelonës për Nico Williamsin është shndërruar në një nga sagat më të njohura të afateve kalimtare të fundit.

Anësori i Athletic Clubit në fund vendosi të qëndrojë në “San Mames”, duke e refuzuar Barcelonën më shumë se një herë, por rrethanat që shoqëruan këto vendime kanë qenë vazhdimisht objekt diskutimi.

Tani, vetë Williams ka ndërhyrë për ta sqaruar të vërtetën, duke kundërshtuar në mënyrë të veçantë edhe deklaratat e agjentit të tij.

Polemika nisi pas komenteve të fundit të agjentit të tij, Felix Tainta, i cili foli për interesimin e madh të Barcelonës në verën e vitit 2024 dhe sugjeroi se transferimi dështoi kryesisht për shkak të problemeve të klubit me rregullat e “fair-play”-it financiar.

Tainta pretendoi se marrëveshja u bë e kushtëzuar nga disa garanci, duke këmbëngulur se lojtari nuk mund të rrezikonte të transferohej te Barcelona dhe më pas të mos ishte në gjendje të luante.

“Vjen një moment në negociata, në këtë situatë, kur Nico nuk mund të mbetet pa luajtur. Nico është një makinë e Formula 1”, kishte thënë agjenti.

Këto deklarata nuk u pritën mirë në “San Mames”, duke e shtyrë Williamsin të jepte versionin e tij të ngjarjeve pas fitores së lehtë të Athleticit ndaj Getafes të dielën.

“Vëllai im ishte i qartë me atë që tha. Është e vështirë kur emri yt përfshihet në gjëra të tilla. Felix ka gabuar me fjalët që ka thënë, gjërat nuk janë ashtu. Vendimi përfundimtar merret nga unë, vëllai im dhe familja. Ajo që ndodh në shtëpi, e dimë vetëm ne të tre. Unë kurrë nuk kam dyshuar për qëndrimin tim këtu. Kam pasur oferta të panumërta, kam pasur mundësi të largohem dhe e kam bërë të qartë se dua të qëndroj këtu”, tha ai.

23-vjeçari këmbënguli se besnikëria e tij ndaj Athleticit nuk është lëkundur asnjëherë, pavarësisht interesimit të shumë klubeve elitare për ta transferuar.

“Synimi im është të jem këtu dhe kjo nuk duhet të vihet në dyshim. Barcelonës, Arsenalit, PSG-së dhe shumë të tjerëve u kam thënë jo, sepse isha këtu. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë”, shpjegoi ai.

Pasi e rinovoi kontratën deri në qershor të vitit 2035, Williams foli edhe për kritikat që i janë drejtuar në rrjetet sociale.

“Rrjetet sociale nuk janë jeta reale. Ti qëndron me njerëzit që vijnë në Lezama dhe aty ka fëmijë të panumërt që duan të jenë si unë. Ata më shikojnë, sepse dua të bëhem një figurë e madhe referimi”.

Këto komente nuk pritet ta shqetësojnë Barcelonën, e cila tashmë ka vazhduar përpara pa Nico Williamsin dhe nuk është më e interesuar për transferimin e reprezentuesit spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat