​A do të shfaqet Messi në ceremoninë e Topit të Artë?

Futboll

​A do të shfaqet Messi në ceremoninë e Topit të Artë?

Më: 26 tetor 2026 Në ora: 13:05
Lionel Messi

Lionel Messi nuk pritet të jetë i pranishëm në ceremoninë e Topit të Artë që mbahet sonte në Londër, pavarësisht spekulimeve se ylli argjentinas mund të merrte pjesë në këtë ngjarje për të prezantuar një nga çmimet, raporton gazeta spanjolle MARCA.

Messi, fitues i Topit të Artë në tetë raste, ka pasur ditë të ngarkuara së fundmi. Ai udhëtoi drejt Oviedos për t'u nderuar në ceremoninë e Çmimeve Princesha e Asturias, përpara se të kthehej në Shtetet e Bashkuara për angazhimet me Inter Miamin. Të dielën, argjentinasi ishte i pranishëm në Kupën Messi dhe, për këtë arsye, nuk pritet të udhëtojë drejt Londrës.

Ndërkohë, Harry Kane ka mbërritur në kryeqytetin anglez me shpresën për ta fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll. Sulmuesi i Bayern Munichut udhëtoi drejt Londrës pas fitores së skuadrës së tij ndaj Freiburgut, i shoqëruar nga delegacioni i klubit bavarez, i cili beson se anglezi ka mundësi reale për t'u shpallur fitues.

Sipas MARCA-s, gara e këtij viti është ndër më të paparashikueshmet e kohëve të fundit, por Kane shihet si një prej kandidatëve më të fortë, falë sezonit të jashtëzakonshëm që ka zhvilluar.

Sulmuesi anglez shënoi 73 gola në të gjitha garat gjatë sezonit 2025/26, fitoi Këpucën e Artë dhe ndihmoi Bayernin të triumfojë në Bundesligë dhe në Kupën e Gjermanisë. Për më tepër, skuadra gjermane arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Besimin në kandidaturën e Kane e ka shprehur edhe drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, i cili do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

“Sigurisht, do të ishim absolutisht të kënaqur nëse Harry Kane do të fitonte Topin e Artë. Harry vendos rekorde të reja vit pas viti, por 73 golat e tij për Bayernin dhe ekipin kombëtar të Anglisë kanë një rëndësi të veçantë këtë herë”, deklaroi Dreesen.

Ceremonia e këtij viti mbahet në Londër për të shënuar 70-vjetorin e ndarjes së parë të Topit të Artë, në vitin 1956, kur çmimi iu dha Stanley Matthews.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat