Klubi i Kukësit, falë fitoreve të fundit në kampionat, ia ka dalë që të bashkohet përsëri me grupin e skuadrave të kreut që pretendojnë të ngjiten në Superiore.
Verlindorët duan që të vazhdojë këtë seri dhe si zakonisht, kanë bërë thirrje në rrjetet sociale që të kishin sa më shumë tifozë në stadium për ndeshjen e mesjavës ndaj Kastriotit.
Sfida është planifikuar të luhet në orën 13:30, por për shumë tifozë një ndeshje e tillë në mesjavë është e pamundur për shkak të faktit se përkon me orare zyrtar pune dhe jo e përshtatshme për të ndjekur ekipin në stadiumin e Kukësit. Këtë ankesë ata ia kanë shprehur edhe klubit në rrjetet sociale, duke marrë një përgjigje nga verilindorët, të cilët kanë theksuar se janë në pritje të Bashkisë, pasi e kanë bërë edhe ata një kërkesë të tillë.
“E kuptojmë shqetësimin që keni për orarin dhe klubi i Kukësit ka rënë dakord më FSHF-në që ndeshjet t’i luajë në mbrëmje. Për këtë, ka bërë kërkesë zyrtare pranë Bashkisë Kukës që në fillim të sezonit, që të sigurojë zhvillimin e ndeshjes me drita.
Ashtu si ju, edhe ne jemi në pritje të përgjigjes nga Bashkia, e cila nuk ka ardhur ende”, shkruante klubi duke zbuluar kësisoj gatishmërinë që të luajë në orar të ndryshëm ndeshjet e veta.