​Shkëlqimi i Ernest Muçit në Turqi

Futboll

​Shkëlqimi i Ernest Muçit në Turqi

Më: 28 tetor 2026 Në ora: 10:55
Ernest Muçi

Ernest Muçi po kalon një periudhë fantastike te Trabzonspori, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më vendimtarë të skuadrës turke.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ishte protagonist edhe në fitoren dramatike të Trabzonsporit ndaj Rizesporit, me rezultat 4:3, të hënën mbrëma, ku regjistroi tri asistime.

Me këtë paraqitje, Muçi dëshmoi edhe një herë rëndësinë që ka në fazën ofensive të ekipit, duke kontribuar drejtpërdrejt në tri gola në një ndeshje tejet të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit.

Forma e tij nuk është e rastësishme. Në tetor, 25-vjeçari shënoi një gol në fitoren 3:0 ndaj Samsunsporit, ndërsa ndaj Rizesporit dhuroi tri asistime, duke qenë vendimtar në dy fitoret e fundit të Trabzonsporit në kampionat.

Në total, pas tetë paraqitjeve në Superligën turke, Muçi ka regjistruar dy gola dhe pesë asistime, statistika që e vendosin në mesin e lojtarëve më produktivë të kampionatit. Sipas statistikave të publikuara për sezonin 2026/27, ai kryeson edhe renditjen e asistimeve në ligë.

Paraqitjet e tij po përkojnë edhe me një moment të mirë të Trabzonsporit. Pas nëntë javësh të zhvilluara, skuadra renditet në pozitën e tretë me 19 pikë, vetëm tri më pak se lideri Galatasaray, ndërsa ka realizuar 22 gola dhe ka pësuar vetëm tetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat