Pas paraqitjes së dobët në Klasiken e Shqipërisë kundër Vllaznisë në Shkodër, ku Tirana u mposht me rezultatin 0 - 2, bardheblutë do të luajnë nesër derbin e kryeqytetit kundër Dinamos, në orën 13:30, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, java e 8-të e Superiores. Në prag të sfidës, për mediat ka folur trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç:
“Është bukur të fitosh dhe, siç e kam thënë edhe çdo herë tjetër, qasja jonë në çdo ndeshje është të fitojmë. Sigurisht që, pas një humbjeje, mënyra më e mirë për të ngritur kokën është të fitosh ndeshjen e radhës.
Çdo fitore vlen njësoj, megjithëse në derbi mund të duket më e bukur. Pas humbjes me Vllazninë, sigurisht që jemi të trishtuar, por duhet të shohim përpara dhe jemi gati për ndeshjen me Dinamon.
Nuk është mirë për ne, por as nuk është diçka e re. Nuk është gjë e mirë për një klub kaq të madh si Tirana që të mos ketë fushën e vet, para tifozëve të vet. Edhe për lojtarët është më mirë kur ke fushën tënde dhe e di se çfarë të presësh, sidomos kur ke përkrahjen e tifozëve.
E analizuam ndeshjen dhe e dimë se çfarë ndodhi. Për sa i përket krijimit të rasteve, paraqitja nuk ishte aq e keqe, sepse kishim raste më të mira se Vllaznia, duke llogaritur edhe dy golat që shënuan ata.
Por nuk i shfrytëzuam rastet tona dhe kjo është më e rëndësishmja për ndeshjen me Dinamon: të shënojmë gola dhe të shfrytëzojmë rastet që krijojmë”.