Humbja 0-2 ndaj Genoas ka lënë gjurmë të thella te Juventusi.
Disfata e tretë në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit ka rikthyer pikëpyetjet mbi të ardhmen e Luciano Spallettit, edhe pse, të paktën për momentin, besimi i drejtuesve te trajneri duket se mbetet ende në fuqi.
Ajo që shqetëson më shumë drejtuesit bardhezinj nuk është vetëm rezultati, por mbi të gjitha paraqitja e skuadrës, e cila po shfaq vështirësi të dukshme në lojë.
Aktualisht në vendin e tetë të renditjes, Juventusi ka regjistruar vetëm katër fitore në nëntë ndeshjet e para të kampionatit. Ndërkohë, bilanci në Evropë është më pozitiv, me dy fitore dhe një barazim.
Spalletti ka pak kohë në dispozicion për të ndryshuar situatën. Përballja e radhës ndaj Napolit mund të rezultojë vendimtare për të ardhmen e tij në stolin bardhezi.
Një tjetër paraqitje zhgënjyese do të shtonte presionin mbi trajnerin dhe do t’i detyronte drejtuesit të rishikonin më seriozisht situatën.
Në sfond rikthehet edhe emri i Antonio Contes. Ish-trajneri i Juventusit mbetet një figurë e dashur për tifozët bardhezinj, të cilët do ta mirëprisnin një rikthim të tij në Torino.
Përkeqësimi i rezultateve mund ta rikthejë këtë hipotezë në qendër të diskutimeve, megjithëse për momentin nuk ka siguri për një ndryshim në pankinë.
Përveç Contes, mes alternativave të përmendura janë edhe Stefano Pioli, Didier Deschamps dhe Paulo Sousa. Për momentin, Spalletti vazhdon punën në krye të Juventusit, por rezultatet e ndeshjeve të ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.