FIFA pritet të gjenerojë rreth 5 miliardë dollarë nga shitja e biletave për Kupën e Botës 2026, një shifër rekord që është pesë herë më e lartë se të ardhurat e siguruara nga Botërori i vitit 2022 në Katar.
Lajmi është raportuar nga gazeta britanike “The Times”.
Të ardhurat nga biletat në edicionin e zhvilluar në Katar arritën në 929 milionë dollarë, ndërsa për turneun e këtij viti, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, parashikimet fillestare të FIFA-s ishin rreth 3.3 miliardë dollarë.
Në total, Kupa e Botës 2026 pritet të gjenerojë rreth 15 miliardë dollarë të ardhura, duke u kthyer në një prej ngjarjeve sportive më fitimprurëse në histori.
Përveç zgjerimit të kompeticionit nga 64 në 104 ndeshje, një rol të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave ka luajtur edhe politika e çmimeve dinamike të biletave, e aplikuar nga FIFA.
Një tjetër burim të ardhurash është komisioni prej 30% që organizata mban për rishitjen e biletave në platformën e saj zyrtare.
Kjo politikë ka shkaktuar kritika për çmimet e larta, por FIFA e ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se platforma zyrtare ndihmon në kontrollin e rishitjes dhe kufizon përfitimet e shitësve të paautorizuar.
FIFA synon të investojë të ardhurat në zhvillimin e futbollit në mbarë botën.
Sipas organizatës, fondet e krijuara nga turneu do të mbështesin 211 shoqatat anëtare, duke u dhënë atyre më shumë mundësi për investime në infrastrukturë dhe zhvillimin e këtij sporti.
Një zëdhënës i FIFA-s bëri të ditur se, nga 6.81 milionë biletat e parashikuara për turneun, mbi 100 mijë do të ofroheshin me çmimin 60 dollarë, përfshirë edhe bileta për finalen.
Ndërkohë, organizata ka propozuar edhe “Programin e Solidaritetit të Tepricave të FIFA-s”, përmes të cilit synon të përdorë një pjesë të rezervave financiare për të dyfishuar fondet e planifikuara për shoqatat anëtare gjatë periudhës 2027–2030, duke e çuar financimin në 6.35 miliardë dollarë.
Megjithatë, shifrat përfundimtare të të ardhurave nga Kupa e Botës 2026 ende nuk janë publikuar zyrtarisht.
FIFA ka konfirmuar se ato do të bëhen publike në raportin e ardhshëm vjetor, pas përfundimit të procedurave të auditimit.