Fundi i fazës së parë të Kategorisë Superiore e gjen Partizanin në gjendje kritike. Vetëm 4 pikë të grumbulluara në 9 javë të luajtura e bëjnë këtë një nga nisjet më të dobëta të historisë për klubin e kuq, që ka marrë vetëm 1 fitore dhe 1 barazim.
Statistikat konfirmojnë krizën e kryeqytetasve që kanë shënuar 10 gola dhe kanë pësuar 21 të tillë. Një shifër shqetësuese që e bën mbrojtjen e Partizanit më të dobëtën e këtij sezoni.
Humbja kundër Elbasanit 2:1 ishte e gjashta radhazi për klubin e kuq, i cili kurrë më parë nuk ka pasur një ecuri kaq negative në Superiore.
Për të gjetur një tjetër seri humbjesh kaq të gjatë duhet të rikthehemi në vitin 2011 kur skuadra ishte pjesë e Kategorisë së Parë.
Në 9 ndeshje të luajtura Partizani ka ndryshuar edhe trajnerin, pasi Florin Bratu u shkarkua pas humbjes së derbit me Tiranën.
Edhe Mislav Karoglan ende nuk e ka bërë dot ndryshimin. Sfida e radhës e të kuqve është kundër Teutës.