Pas më shumë se dy muajsh pritje, Marash Kumbulla ka bërë më në fund debutimin zyrtar me fanellën e Rayo Vallecanos, duke lënë menjëherë gjurmën e tij në futbollin spanjoll.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist në suksesin 3-2 ndaj Recreativo Huelva, në Kupën e Mbretit, ku skuadra madrilene siguroi kualifikimin pas kohës shtesë.
Kumbulla e nisi sfidën si titullar dhe tregoi se është gati për të luftuar për një vend në formacion. Momenti vendimtar erdhi në pjesën e parë, kur ndërhyrja ndaj tij në zonën kundërshtare solli një penallti për Rayo Vallecanon, ndërsa mbrojtësi i Recreativos, Roan Riera, u ndëshkua me karton të kuq.
Nga pika e bardhë, Alemao riktheu baraspeshën në shifrat 1-1. Por kontributi i shqiptarit nuk u kufizua vetëm te ky episod. 26 vjeçari u shfaq i sigurt në repartin defensiv, fitoi të gjitha pesë duelet e tij dhe regjistroi pesë ndërhyrje të rëndësishme në mbrojtje.
Madje, ishte pranë golit me një goditje të rrezikshme.
Kumbulla qëndroi në fushë për 80 minuta, duke dhënë sinjale pozitive në debutimin e tij me fanellën e Rayos.
Një paraqitje inkurajuese jo vetëm për klubin spanjoll, por edhe për Kombëtaren shqiptare, që shpreson ta ketë mbrojtësin në formë optimale për dy sfidat vendimtare ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë në Ligën e Kombeve.