Kapiteni Granit Xhaka dhe sulmuesi Breel Embolo janë rikthyer në Kombëtaren e Zvicrës për ndeshjet e muajit nëntor.
Pas këtij rikthimi, Embolo ka vendosur të flasë hapur.
Për herë të parë pas mosftesës në Kombëtare, Breel Embolo ka folur për vendimin e Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV). Sulmuesi shprehet i zhgënjyer, kërkon qartësi nga drejtuesit dhe zbulon se kishte menduar edhe për largimin nga përfaqësuesja, por tashmë është i përqendruar te objektivat e ardhshëm.
Pas vendimit për të mos e ftuar në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, në shtator, për shkak të dënimit lidhur me blerjen e certifikatave të falsifikuara të COVID-19, Breel Embolo (29) ka folur për herë të parë për këtë çështje dhe për vendimin e Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV).
Në një intervistë për median “CH Media”, sulmuesi ka shprehur pakënaqësinë e tij, veçanërisht për mënyrën se si është trajtuar çështja. Sipas tij, rrethanat e rastit ishin të njohura prej vitesh brenda federatës, ndërsa së fundmi në publik u bë i njohur vetëm vendimi ndëshkues.
Embolon e ka shqetësuar veçanërisht fakti që rasti i tij është trajtuar njësoj si ai i kapitenit të Kombëtares, Granit Xhaka.
“Nuk dua të kërkoj justifikime, por unë jam i vaksinuar. Tri herë.
Prandaj, rasti im është krejtësisht ndryshe nga ai i Granitit”, deklaroi Embolo.
Sulmuesin e ka shqetësuar edhe fakti se, sipas tij, federata është dorëzuar para presionit të jashtëm. Ai thotë se kjo situatë e ka lënduar dhe zhgënjyer si njeri.
Për Embolon, ndërhyrjet politike dhe presioni publik nuk duhet të kenë vend në futboll. Ai gjithashtu mendon se, me mosftesën në Kombëtare, është ndëshkuar në njëfarë mënyre kolektivisht, pasi, sipas tij, në një çështje të vetme janë bashkuar problemet me autorizimin ESTA për hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe ato që lidhen me testet e COVID-19.
Për shkak të problemeve me ESTA-n, gjatë verës atij iu vonua hyrja në Shtetet e Bashkuara, ku duhej të udhëtonte për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror.
Kishte menduar edhe për largimin nga Kombëtarja
Në një moment, Embolo kishte shqyrtuar edhe mundësinë e tërheqjes nga Kombëtarja ose të marrjes së një pauze.
“Deri para pak kohësh, isha 50 me 50 sa i përket rikthimit në Kombëtare në nëntor”, zbuloi ai.
Megjithatë, tashmë është e konfirmuar se Embolo do t'i bashkohet sërish përfaqësueses zvicerane.
“Unë nuk e kam refuzuar asnjëherë Kombëtaren, pavarësisht nëse kam qenë i lënduar, kam pasur probleme fizike apo nëse klubi im ka kërkuar që të mos paraqitem”, theksoi sulmuesi.
Embolo pranon përgjegjësinë për gabimin e bërë dhe nuk kërkon trajtim të veçantë.
“Ua bëra të lehtë”
Kur drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami (63), e njoftoi përmes telefonit se nuk do të ftohej, Embolo iu përgjigj:
“Atëherë nuk do të vij. Kaq e thjeshtë.”
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për të apo për futbollistë të tjerë, mesazhi kryesor i Embolos është se SFV-ja duhet të qartësojë disa çështje në planin afatgjatë.
Se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, ish-futbollisti i Baselit nuk dëshiron të flasë më shumë. Ndërkohë, federata nuk ka pranuar të komentojë këtë çështje pas interesimit të gazetës “Blick”.
Pavarësisht gjithçkaje, Embolo dëshiron ta lërë të kaluarën pas dhe të përqendrohet te futbolli.
“Nuk ka më kuptim të shikojmë prapa. Në mendjen time tashmë është Kampionati Evropian”, deklaroi ai.
Objektivi i tij madhor mbetet që, me Kombëtaren e Zvicrës, të kalojë një pengesë historike dhe të arrijë përtej çerekfinales.
Në dy turnetë e fundit të mëdhenj, Zvicra ka arritur deri në çerekfinale, por Embolo synon që këtë herë të shkojë edhe më larg.