Frenkie de Jong ka marrë vlerësime të shumta nga mediat spanjolle pas paraqitjes së tij si qendërmbrojtës në fitoren bindëse të Barcelonës, 6:1 ndaj Deportivo Alavésit. Mesfushori holandez, i cili u rikthye në formacionin titullar pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit, tregoi se mund të jetë një alternativë e rëndësishme edhe në repartin defensiv.
Barcelona regjistroi një fitore spektakolare ndaj Alavesit në stadiumin “Spotify Camp Nou”, por përveç gjashtë golave të realizuar, vëmendje të veçantë tërhoqi edhe vendimi taktik i trajnerit Hansi Flick.
Tekniku gjerman zgjodhi ta aktivizonte Frenkie de Jongun në qendër të mbrojtjes, përkrah talentit Pau Cubarsí, si përgjigje ndaj mungesave të shumta në këtë repart.
Për holandezin, kjo ishte paraqitja e parë si titullar që nga lëndimi i pësuar gjatë Kupës së Botës, ndërsa eksperimenti rezultoi i suksesshëm.
De Jong bind në qendër të mbrojtjes
Megjithëse pozita natyrore e De Jongut është në mesfushë, aktivizimi i tij si mbrojtës qendror nuk është krejtësisht i panjohur.
Gjatë periudhës te Ajaxi, nën drejtimin e Erik ten Hagut, holandezi ishte aktivizuar disa herë në këtë rol, duke shfrytëzuar aftësinë për të organizuar lojën nga prapavija.
Megjithatë, për Barcelonën kjo ishte hera e parë që ai aktivizohej në një pozitë të tillë.
Në përballjen kundër Alavesit, De Jong u dallua për qetësinë në posedimin e topit, saktësinë në pasime dhe aftësinë për t’i lexuar aksionet kundërshtare.
Paraqitja e tij mori vlerësime pozitive nga disa prej gazetave më të njohura sportive në Spanjë.
La Vanguardia: E meritoi duartrokitjen e tifozëve
Gazeta katalanase La Vanguardia e vlerësoi De Jongun me notën 8 për paraqitjen e tij.
“Paraqitja e tij e parë si titullar këtë sezon, dhe atë si qendërmbrojtës. I qetë dhe i saktë me topin, ndërsa intensiv në lojën pa të. E meritoi duartrokitjen e tifozëve dhe tregoi se dëshironte ta bindte trajnerin”, shkroi gazeta.
Vlerësimi pasqyron sigurinë që holandezi i dha mbrojtjes së Barcelonës, pavarësisht se nuk luante në pozitën e tij të zakonshme.
Edhe dy gazetat e tjera të njohura spanjolle, MARCA dhe Diario SPORT, e vlerësuan De Jongun me notën 8.
SPORT theksoi rikthimin e tij në formacion dhe mënyrën se si u përshtat me kërkesat e rolit të ri.
“U rikthye në formacionin titullar pas shumë muajsh dhe këtë e bëri si qendërmbrojtës.
Në disa raste pati vështirësi në duelet fizike, por ishte i shpejtë në ndërhyrje dhe në parashikimin e aksioneve, veçanërisht në një situatë me Boyén brenda zonës së penalltisë”, shkroi gazeta.
Sipas saj, De Jong tregoi gjithashtu guxim në organizimin e lojës, duke avancuar me topin dhe duke marrë iniciativa për të ndërtuar sulmet nga prapavija.