Futbollisti shqiptar, Indrit Tuci, vendos derbin e madh të futbollit slloven, duke i dhënë Olimpisë fitoren në udhëtim.
Olimpia nga Lublana ka triumfuar në derbin e madh ndaj Mariborit, duke fituar me rezultat 1:0 në stadiumin “Ljudski vrt”, në kuadër të javës së 14-të të kampionatit slloven.
Ndeshja, e zhvilluar para rreth 10 mijë tifozëve, u karakterizua nga një lojë intensive dhe fizike, ku futbollistët e Olimpisë u treguan më efikasë në momentet vendimtare.
Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi shqiptar Indrit Tuci në minutën e 56-të, pas një aksioni të shpejtë. Asistues ishte 20-vjeçari Kristjan Bendra.
Kjo është humbja e dytë radhazi për Mariborin, i cili në tri derbit e zhvilluar deri më tani këtë sezon ka arritur të marrë vetëm një pikë.
Futbollistët shqiptarë Marvin Çuni dhe Indrit Tuci u paraqitën titullarë te Olimpia. Çuni u zëvendësua në minutën e 79-të, ndërsa Tuci në minutën e 90+3-të.
Në anën tjetër, Behar Feta u aktivizua në minutën e 76-të për Mariborin.
Në renditjen tabelare, Koperi kryeson me 25 pikë, i ndjekur nga Maribori me 24, ndërsa Olimpia renditet në vendin e tretë me 22 pikë.