Teuta mori humbjen e dytë radhazi në “Abissnet Superiore”, 0-1 nga Partizani në “Niko Dovana”, duke u shkëputur nga Egnatia në 4 pikë.
Distancë e konsiderueshme dhe njëkohësisht e ndryshueshme, duke marrë për bazë qasjen e performancës që po ndiqet momentalisht në Superiore, ku të gjitha gabojnë aty ku më pak pritet.
E njëjta tablo duket se ka “infektuar” edhe Teutën e Edlir Tetovës, skuadër e cila është ndërtuar për të krijuar rivalitet të fortë dhe për të tentuar larg këtë edicion.
Pikërisht, puna që ka bërë Edlir Tetova që prej javës së parë e deri në javën e 8-të, i dha frytet e veta. Mirëpo, “magjia” u zbeh brenda dy ndeshjeve.
Dy humbje që peshojnë shumë për standardin e garës “kokë më kokë” me Egnatian që prin klasifikimin dhe shumë aspekte që duhen korrigjuar. Ndonëse përballë Egnatias, mund të vlejë justifikimi i momentit, tek Partizani ndryshojnë “kartat”.
Një rival që mori fitoren e parë pas 6 humbjesh radhazi, pikërisht përballë një Teute që e ka krijuar staturën e saj si pretendente, janë shenja që duhet të “alarmojnë” kampin durrsak.
Ndoshta këto humbje mund ta kenë zgjuar nga “ëndrra e bukur” e kryesimit. 4 pikët e distancës janë mjaftueshëm shkak që Tetova të rikthejë të tijët me këmbë në tokë, pas një hovi të ndërprerë. 6 pikë të “flakura” dhembin, por më shumë, bindja se kjo rrëshqitje mund të marrë përmasa akoma dhe më të mëdha nëse nuk merren masa.
Dhe pikërisht, nëse tek Teuta ekziston një zgjidhje, është pikërisht Edlir Tetova i cili di mjaft mirë si të fusë sërish në shina një skuadër me pretendime të mëdha.