Vdekja e Jesus de Miguelit ka tronditur futbollin spanjoll.
Sulmuesi i Tenerifes ndërroi jetë të martën, më 3 nëntor, në orën 08:00 të mëngjesit, si pasojë e një lëndimi të rëndë të pësuar gjatë ndeshjes kundër FC Andorrës, e zhvilluar një ditë më parë në stadiumin Heliodoro Rodríguez Lopez.
De Miguel u lëndua rëndë pas një përplasjeje me portierin mysafir, Jesús Owono. Mjekët u detyruan ta reanimonin në fushë, ndërsa më pas futbollisti u transportua me urgjencë në spital, ku gjendja e tij u përkeqësua gjatë natës.
Mediat spanjolle kanë veçuar katër momentet kryesore të kësaj tragjedie.
1. Përplasja fatale në minutën e 90+8
Tragjedia ndodhi në minutën e 90+8 të të ndeshjes Tenerife – Andorra, në rezultatin 2:2.
Gjatë një aksioni, portieri mysafir Jesús Owono e goditi fuqishëm De Miguelin me gju në gjoks.
Sulmuesi i Tenerifes mbeti i shtrirë në fushë dhe shumë shpejt u kuptua se bëhej fjalë për një situatë jashtëzakonisht të rëndë.
2. Arrest kardiak dhe reanimim në fushë
Pas përplasjes, De Miguel humbi vetëdijen, pësoi arrest kardiak dhe ndaloi së marri frymë.
Shërbimi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe filloi procedurën e reanimimit kardiopulmonar.
Pas ndihmës së parë, futbollisti u transportua me urgjencë në spital me autoambulancë, nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor.
Për shkak të seriozitetit të situatës, gjyqtari e ndërpreu ndeshjen dhe i tregoi kartonin e kuq portierit mysafir, Owono.
3. Përkeqësimi i gjendjes gjatë natës
Gjatë natës nga e hëna në të martë, De Miguel u shtrua në repartin e kujdesit intensiv në Spitalin Universitar Nuestra Señora de Candelaria, në Tenerife.
Në komunikatën e parë, klubi njoftoi se gjendja e tij ishte stabile, por ende e rëndë.
Megjithatë, rreth orës 05:00 të mëngjesit, gjendja e tij neurologjike u përkeqësua.
Tenerife e informoi opinionin publik përmes një komunikate të re zyrtare, ndërsa shqetësimi për jetën e futbollistit u bë edhe më i madh.
4. Vdekja në orën 08:00 të mëngjesit
Të martën, më 3 nëntor, në orën 08:00 të mëngjesit, klubi CD Tenerife konfirmoi zyrtarisht se Jesús de Miguel kishte ndërruar jetë.
Lajmi shkaktoi tronditje të madhe në futbollin spanjoll.
Shumë klube, futbollistë dhe personalitete të sportit shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij.
Tragjedia në stadiumin Heliodoro Rodríguez Lopez e mbuloi me zi futbollin spanjoll.