​FIFA teston tri rregulla të reja te të rinjtë

Futboll

​FIFA teston tri rregulla të reja te të rinjtë

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 13:48
FIFA

FIFA ka testuar tri rregulla të reja në Kampionatin Botëror për futbollistët deri në 15 vjeç, me synimin për ta bërë futbollin më të shpejtë, më atraktiv dhe për t’u dhënë lojtarëve më shumë mundësi për të prekur topin.

Turneu i parë i këtij formati u zhvillua muajin e kaluar në Azerbajxhan, ku morën pjesë 189 ekipe nga gjashtë konfederata të ndryshme.

Gjatë 932 ndeshjeve u shënuan gjithsej 4.505 gola. Kampione u shpall Spanja, e cila në finale e mposhti Çekinë me rezultat 3-0.

Tri ndryshimet e testuara nga FIFA përfshijnë zëvendësimet e pakufizuara, rivëniet anësore me këmbë në vend të duarve dhe një rregull të ndryshuar për pozitën jashtë loje.

Me rregullin e parë, trajnerët mund të bëjnë zëvendësime të pakufizuara, duke u mundësuar më shumë futbollistëve të marrin pjesë në ndeshje. Ndërkohë, rivëniet anësore kryhen me këmbë, me qëllim të përshpejtimit të lojës dhe rritjes së kontakteve me topin.

Ndryshimi i tretë lidhet me pozitën jashtë loje, ku futbollistët ndëshkohen vetëm nëse hyjnë në zonën e përcaktuar sulmuese, e cila fillon 14 metra larg portës kundërshtare.

Arsene Wenger, drejtues i zhvillimit global të futbollit në FIFA, ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre ndryshimeve është krijimi i më shumë mundësive për talentët e rinj, në mënyrë që ata të zhvillojnë aftësitë teknike përmes lojës.

Turneu u zhvillua me nga tetë futbollistë për ekip, në dy pjesë nga 20 minuta, ndërsa ndeshjet u luajtën në fusha me përmasa më të vogla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat