Egnatia do të kthehet në fushë për ndeshjen e tretë që do të luajnë në Conference League përballë Universitatea Craiova, të enjten e datës 5 nëntor, ora 21:00.
Një ditë para këtij dueli, mbajnë një sy edhe nga Barcelona, aty ku sot do të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale Eljon Sota. Mbrojtësi u dëmtua rëndë në përballjen me Teutën duke pësuar një dislokacion akut të kyçit të këmbët.
Edhe pse tashmë dihet që mungesa e tij do të jetë e gjatë larg fushës së blertë, rrogozhinasit do të presin për përgjigjen përfundimtare që do të rezultojë nga ndërhyrja, për të vijuar më pas me fazën e rikuperimit.
Ashtu siç është deklaruar edhe më parë, nëse përmbledhim të gjithë fazën që i duhet Sotës për të marrë plotësisht veten, koha mund të prekë 5-6 muaj. Çfarë do të thotë se 28-vjeçari mund të humbasë pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa rikthimi në fushë mund të përkojë me fazën e fundit të Superiores.