Xhiroja e tretë e fazës së ligës në Ligën e Konferencës e gjen Egnatian në Rumani, ku sonte, në orën 21:00, kampionët e Shqipërisë do të përballen me Universitatea Krajova.
Skuadra rumune vjen në këtë sfidë me katër pikë, të grumbulluara falë një fitoreje dhe një barazimi, ndërsa të besuarit e trajnerit Nevil Dede kanë dy pikë, pas dy barazimeve ndaj kundërshtarëve danezë.
Kompanitë e huaja të basteve, përmes koeficientëve të publikuar për këtë takim, e shohin Egnatian në pozita të vështira në transfertën e Krajovës.
Fitorja e Universitateas kuotohet me 1.45, barazimi me 4.5, ndërsa triumfi i rrogozhinasve vlerësohet me koeficientin 6.5.
Megjithatë, këto kuota nuk janë një risi për Egnatian. Edhe në dy përballjet e mëparshme ndaj skuadrave daneze, kampionët shqiptarë janë konsideruar inferiorë nga kompanitë e basteve, por kanë arritur të marrin nga një pikë.
Një rezultat i tillë do të ishte i mirëpritur edhe sonte në Rumani, ku skuadra e Nevil Dedes synon të sfidojë parashikimet dhe të vazhdojë të mbetet në garë për objektivat e saj në këtë kompeticion.