Thuni konfirmon ngritjen e formës me fitoren ndaj skocezëve

Futboll

Thuni konfirmon ngritjen e formës me fitoren ndaj skocezëve

Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 21:22
FC Thuni feston

FC Thuni e ka konfirmuar ngritjen e formës duke e mposhtur në fushën e vet skuadrën skoceze Hearts me rezultat 3:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë të Ligës së Konferencës.

Dy gabime të skuadrës skoceze u mundësuan vendasve të shënonin dy gola në pjesën e parë.

Me këtë fitore, Thuni regjistroi tri pikët e para në këtë edicion të garave evropiane.

Përballja ndërmjet Thunit dhe Heart of Midlothianit ishte edhe një duel ndërmjet dy skuadrave që sezonin e kaluar kishin befasuar në kampionatet e tyre. Thuni kishte arritur deri te titulli i kampionit në Zvicër, ndërsa skuadra skoceze e kishte humbur titullin vetëm në xhiron e fundit të kampionatit.

Megjithatë, në sezonin aktual të dyja skuadrat nuk po kalojnë periudhë të mirë, sidomos në garat ndërkombëtare. Thuni kishte pësuar dy humbje në dy ndeshjet e para, ndërsa skocezët kishin grumbulluar vetëm një pikë. Prandaj, të dyja skuadrat kërkonin fitoren e parë në këtë edicion.

Dy gabime të mëdha të skocezëve

Por vetëm skuadra zvicerane u tregua e gatshme për këtë përballje. Thuni e mori iniciativën që në fillim të ndeshjes, pas një ndërprerjeje prej tetë minutash për shkak të tymit të mjeteve piroteknike në stadium.
Skuadra vendase zhvilloi disa sulme të rrezikshme dhe arriti të shënonte dy herë në pjesën e parë, duke përfituar edhe nga gabimet e mysafirëve.

Minuta 22, Lucien Dähler ushtron presion ndaj mbrojtësit Jamie McCart pas një topi të gjatë, duke e detyruar atë ta dërgojë topin në portën e vet për rezultatin 1:0.

Minuta 34’ Pas një goditjeje dënimi të skocezëve, Thuni organizon një kundërsulm të shpejtë. Pas një pasimi të Nils Reichmuthit, kapiteni i mysafirëve Stephen Kingsley gabon rëndë dhe ia mundëson Brighton Labeaut të shënojë për 2:0.

Thuni shënon edhe golin e tretë

As në pjesën e dytë skuadra skoceze, e cila kishte probleme të shumta me lëndime të futbollistëve, nuk arriti të reagojë.

Përkundrazi, Thuni e vendosi përfundimisht fatin e ndeshjes në minutën e 57-të. Pas një harkimi të përkryer nga Nils Reichmuth, Furkan Dursun vetëm e devijoi topin në rrjetë për rezultatin 3:0.

Pak minuta më vonë, Nico Maier pati rast të shkëlqyer për ta ngritur epërsinë në 4:0, por dështoi.
Skuadra skoceze arriti të shënonte vetëm në minutën e 83-të, kur Stuart Findlay realizoi me kokë për rezultatin përfundimtar 3:1.

Kështu, Thuni festoi fitoren e parë në këtë edicion të Ligës së Konferencës dhe i mbajti gjallë shpresat për kalimin në fazën tjetër të garave.

Ndeshjet e ardhshme
Në kampionatin zviceran, Thuni të dielën do ta presë Baselin.
Ndërsa në garat evropiane, skuadra zvicerane do të rikthehet më 26 nëntor, kur do të luajë në udhëtim kundër Ajaksit të Amsterdamit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat