Kapiteni Granit Xhaka dhe skuadra e tij, Sunderland, përjetuan një mbrëmje zhgënjyese, duke pësuar humbje si vendas me rezultat 0:2 ndaj Dinamo Zagrebit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të Europa League.
Një humbje e vështirë për t'u pranuar, sidomos duke pasur parasysh se Sunderland konsiderohej favorit përballë skuadrës kroate.
“Përralla i përket së kaluarës, Sunderlandi po përballet me vështirësi”, shkruan media zvicerane “SFR”.
Kriza e rezultateve të Sunderlandit tashmë është shfaqur edhe në Ligën e Evropës. Shenjat janë shqetësuese.
Që nga publikimi i dokumentarit me disa sezone të Netflix-it, të titulluar «Sunderland 'Til I Die» (Sunderland deri në vdekje), është bërë e njohur se dashuria e tifozëve besnikë për Sunderlandin AFC nuk varet nga kategoria në të cilën garon klubi.
Megjithatë, do të ishte për të ardhur keq nëse “Macet e Zeza” do të riktheheshin së shpejti në kategorinë e dytë. Kjo do të ishte veçanërisht e dhimbshme pas përrallës që Sunderlandi shkroi sezonin e kaluar.
Si skuadër e promovuar në Premierligë, ekipi nga qyteti portual në verilindje të Anglisë mahniti edhe përtej kufijve të vendit në sezonin 2025/26. Nën udhëheqjen e Granit Xhakës, Sunderlandi përfundoi në vendin e shtatë në Premierligë dhe u kualifikua për herë të parë pas 53 vjetësh në garat evropiane.
As garat evropiane nuk janë më strehë
Nëse sezoni i kaluar ishte i shkëlqyer, gjendja aktuale paraqitet shumë më shqetësuese. Nga gjashtë ndeshjet e fundit, Sunderlandi ka arritur të fitojë vetëm një.
Në fillim, skuadra e trajnerit Régis Le Bris kishte gjetur strehë në Ligën e Evropës, larg rezultateve zhgënjyese në Premierligë. Në tri xhirot e para të këtij kompeticioni, Sunderlandi kishte grumbulluar shtatë pikë.
Por të enjten, kriza e skuadrës që befasoi të gjithë sezonin e kaluar u shfaq edhe në arenën evropiane. Në stadiumin e vet, “Stadium of Light”, Sunderlandi u mposht 0:2 nga Dinamo e Zagrebit.
Megjithatë, pavarësisht humbjes së parë, falë fillimit të mirë, gjasat për të kaluar tutje në Ligën e Evropës mbeten ende të mira.
12 pikë më pak se një vit më parë
Më shqetësues sesa rezultati ndaj Dinamos nga Zagrebi është trendi negativ i rezultateve të Sunderlandit.
Nga gjashtë ndeshjet e fundit, “Macet e Zeza” kanë fituar vetëm një, dhe atë në Kupën e Ligës.
Në Premierligë, Sunderlandi është në pritje të fitores që nga xhiroja e dytë e kampionatit, pra prej më shumë se dy muajsh.
Në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit, Xhaka dhe bashkëlojtarët e tij kanë grumbulluar vetëm dy pikë.
Prandaj, nuk është aspak befasuese që Sunderlandi, pas nëntë xhirove, ndodhet në fund të tabelës me vetëm pesë pikë. Për krahasim, në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar kishte grumbulluar 17 pikë.
Pesë ndeshjet e fundit të Sunderlandit në Premierligë*
Java 5: Manchester City (jashtë) 3:5
Java 6: Brighton (vendas) 0:2
Java 7: Bournemouth (jashtë) 0:2
Java 8: Leeds (vendas) 0:0
Java 9: Coventry City (jashtë) 1:3
Në fundjavë përballë Chelseat
Largimi nga vendi i fundit para pushimit për ndeshjet e kombëtareve dhe sigurimi i pak më shumë hapësire në fundin e tabelës do të jetë një mision i vështirë për Sunderlandin.
Të dielën, në Premierligë, Sunderlandi e pret Chelsean, skuadrën që deri më tani ka shënuar më së shumti gola në kampionat.
Megjithatë, ekziston edhe një arsye e vogël për optimizëm: në sezonin 2025/26, Sunderlandi i mori Chelseat të gjitha gjashtë pikët e mundshme në dy përballjet mes tyre.