Ai është emri më i ri në grupin e futbollistëve nga Gjeneva, për herë të parë, Roggerio Nyakossi është ftuar në Kombëtaren A të Zvicrës.
Sipas mediumit zviceran, “SFR”, Grupi i futbollistëve nga Gjeneva në Kombëtaren e Zvicrës tashmë është aq i madh, saqë mund të formojë një ekip të tërë të futbollit të vogël. Ashtu si Zachary Athekame, Winsley Boteli, Johan Manzambi dhe Zeki Amdouni, edhe debutuesi i ri i Kombëtares A, Roggerio Nyakossi, ka lindur në Gjenevë.
“Kam shpresuar në këtë moment. Të jem këtu më mbush me krenari dhe gëzim të madh”, deklaroi 22-vjeçari në paraqitjen e tij të parë para mediave, gjatë grumbullimit aktual të Ligës së Kombeve.
Por kush është mbrojtësi qendror, i gjatë 1.94 metra, i cili po bën bujë në Belgjikë me OH Leuven dhe që, sipas raportimeve, është në listën e dëshirave të klubeve të Premierligës dhe Bundesligës?
Nga Gjeneva në Marseille
Nyakossi e nisi karrierën si junior te FC Meyrin, përpara se në vitin 2017 t'u bashkohej grupmoshave të reja të Servette-s, ku regjistroi edhe pesë paraqitje në Superligën zvicerane.
Në vitin 2022 vendosi të bëjë hapin drejt futbollit ndërkombëtar, duke iu bashkuar akademisë së Olympique Marseille.
Megjithatë, depërtimi në ekipin e parë në Francë nuk u realizua, prandaj, në dimrin e vitit 2025, ai vendosi të nisë një kapitull të ri te OH Leuven. Një vendim që rezultoi i suksesshëm: te skuadra belge, Nyakossi arriti të sigurojë një vend në formacionin bazë.
Ndërkohë, në nivelin e përfaqësueseve, ai së fundmi mbajti edhe shiritin e kapitenit te Kombëtarja U-21 e Zvicrës, ashtu siç kishte bërë edhe në grupmoshat e mëparshme.
Zhvillimi i mbrojtësit të ri, i cili shquhet edhe për cilësitë e tij udhëheqëse, nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet jashtë Belgjikës.
Sipas raportimeve mediale, gjatë afatit të fundit kalimtar, disa klube nga pesë ligat më të forta evropiane kishin shfaqur interesim për futbollistin nga Gjeneva. Megjithatë, Nyakossi vendosi të qëndrojë te Leuven.
Ndërkohë, vlera e tij e përllogaritur në tregun e transferimeve thuhet se ka arritur në rreth nëntë milionë euro.
Në vend që të vazhdonte karrierën në Leuven, futbollisti nga Gjeneva, i cili posedon tri shtetësi – zvicerane, togoleze dhe ganeze – është bashkuar me Kombëtaren A në St. Gallen, ku tashmë ka takuar disa njohje të vjetra.
Në veçanti, me Athekame, Botelin dhe Manzambin e lidh një histori e gjatë e përbashkët.
“Besoj se kemi luajtur së bashku prej dhjetë vitesh. Të takohemi përsëri këtu është diçka shumë e veçantë”, u shpreh rishtari i Kombëtares.
Të mësojë nga futbollistët me përvojë
Nyakossi është veçanërisht i emocionuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit me futbollistët me përvojë të Kombëtares, sidomos me ata që luajnë në pozitën e tij.
“Të kesh mundësinë të stërvitesh me futbollistë të tillë është e jashtëzakonshme. Kjo situatë është paksa si shkolla – mund të mësosh jashtëzakonisht shumë”, deklaroi ai.
Pavarësisht ngritjes së shpejtë në karrierë, 22-vjeçari vazhdon të mbetet modest. Ai është i vetëdijshëm se në Kombëtaren A fillimisht duhet ta dëshmojë veten.
“Duhet të vazhdoj të punoj me përkushtim dhe ta ruaj gjakftohtësinë”, përfundoi Nyakossi.