Elia Caprile konsiderohet një alternativë serioze për Kombëtaren shqiptare në një të ardhme të afërt.
Dekreti i pasaportës shqiptare që e bën atë të konsiderohet një shtetas i tij në Republikën e Shqipërisë, ishte hapi i parë për ta afruar portierin me origjinë nga Verona e Italisë me ngjyrat kuqezi.
Deri në këtë pikë, gjithçka mund të konsiderohet e ezauruar me Caprilen, ndërsa përqëndrimi më i madh i dedikohet FIFA-s, e cila do të vendosë nëse do të lejojë lojtarin të shkëputet nga Italia për t’iu bashkuar Kombëtares sonë. Ekzistojnë një sërë kriteresh që e ndërlikojnë këtë pistë, por Shqipëria mund të buzëqeshë. Kjo për një arsye krejt të veçantë që ka ndodhur edhe me të tjerë që kanë përjetuar të njëjtën situatë identike.
I pari është Jordan Lefort, i cili është me shtetësi franceze dhe në këto momente aktivizohet për Kombëtaren e Mauritanisë. I dyti është Roman Ferber. I lindur në Belgjikë dhe në shtator të këtij viti iu bashkua kombëtares së Madagaskarit. Të dy këta, zgjodhën që për arsye të bashkëshorteve të tyre, të ndryshojnë skuadër kombëtare.
Në rast se FIFA do të japë përgjigje negative, bazuar tek kriteri i ndërlikuar, Federata mund ta fitojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë.
Kujtojmë se Elia Caprile është i martuar me Emili Toshkollarin, me të cilën ka edhe një fëmijë. Nëse tentativa për të rekrutuar Caprilen do të rezultonte e suksesshme, do të kishim të bënim me një zgjedhje luksi, ku figurojnë Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani si dhe Klidman Lilo.