Ysni Ismaili mund të përfitojë nga tërheqja e Balliut

Futboll

Ysni Ismaili mund të përfitojë nga tërheqja e Balliut

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 22:54
Futbollisti Ysni Ismaili

Futbollisti Ysni Ismaili u prezantua sot nga Federata përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i uroi mirëseardhjen mbrojtësit të Dinamos.

24-vjeçari do të jetë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran për përballjet me Finlandën ditën e enjte, më 12 nëntor dhe atë me Bjellorusinë tre ditë më vonë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. 

Prania e tij i jep mundësinë trajnerit Maran që ta shfrytëzojë në korsinë e djathtë, aty ku Ismaili ka bërë vërtet mirë me Dinamon, gjatë këtij sezoni, por edhe në vitet e fundit. I zhdërvjellët, merr përsipër përgjegjësinë për të shkuar edhe përtej rolit, në bazë të nevojës për të ndihmuar skuadrën.

Ka qenë gjithmonë në lartësinë e duhur kur i janë besuar minuta, madje duke u kthyer në një element i pazëvendësueshëm në prapavijë për Ilir Dajën tek skuadra kryeqytetase. 

Tërheqja e Ivan Balliut mund t’ia ketë shtruar disi rrugën Ismailit që të shihet me sy të mirë edhe nga Rolando Maran. Edhe pse në balotazh me Elseid Hysajn do ta kishte të vështirë, duke marrë në konsideratë edhe rëndësinë e Hysajt. Shanset për të bërë debutimin, qoftë përballë Finlandës ose me Bjellorusinë, mbeten konkrete. 

Megjithatë, përtej kësaj, fakti që Ysni Ismali është zgjedhur nga Rolando Maran për të qenë në dispozicion të Kombëtares për këto dy ndeshje, është stimul që konfirmon edhe njëherë tjetër ndikimin që ka Superiore në raportin “reciprok” me skuadrën kombëtare, krahas pranisë së Naser Alijit dhe Klevi Qefalijës po nga Dinamo dhe Mario Dajsinanit nga Egnatia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat