Rrëfehet se ishte afër të bie në koma

Futboll

Rrëfehet se ishte afër të bie në koma

Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 19:07
Mbrojtësi i Evertonit, Jake O’Brien

Mbrojtësi i Evertonit, Jake O’Brien, është futbollisti i vetëm me diabet të tipit 1 që luan në Premierligë dhe ka rrëfyer historinë e tij të jashtëzakonshme, duke treguar se si arriti ta kapërcejë një sfidë të madhe shëndetësore për t’u bërë futbollist profesionist.

Trupi i O’Brien nuk është në gjendje të prodhojë insulinë, hormonin që rregullon sasinë e glukozës në gjak.

Për këtë arsye, ai mban në krah një pajisje të rrumbullakët, e cila përmes “Bluetoothit” lidhet me një aplikacion në telefonin e tij dhe monitoron vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak.

Mbrojtësi i kombëtares së Irlandës e përdor një gjilpërë për të injektuar dozën e nevojshme të insulinës në kofshë ose në bark, diçka që shpesh i befason bashkëlojtarët e tij.

“Një ose dy prej tyre habiten në fillim. Mund të jetë paksa konfuze për ta. ‘Çfarë po bën ky?’, ose ndoshta për ata që nuk ndihen mirë kur shohin gjilpëra. Por shumë shpejt mësohen. Është vetëm një gjilpërë e vogël”, ka thënë O’Brien në një intervistë për “Daily Mail”.

25-vjeçari, i cili iu bashkua Evertonit nga Lyoni në vitin 2024, e nisi karrierën te Cork City dhe tashmë është konsoliduar si një mbrojtës i besueshëm në Premierligë nën drejtimin e David Moyesit.

Ai luan kryesisht në qendër të mbrojtjes, por aktivizohet edhe në krahun e djathtë kur është e nevojshme.

Megjithatë, karriera e tij në nivelin më të lartë pothuajse u ndërpre para se të niste seriozisht. Edhe pse monitorimi i nivelit të glukozës tashmë është pjesë e rutinës së tij të përditshme, jeta e irlandezit ishte në rrezik para se të diagnostikohej me diabet në moshën 16-vjeçare.

Ai vuante nga lodhja ekstreme, po humbiste peshë dhe kishte etje të vazhdueshme, pavarësisht se pinte nga tetë deri në nëntë litra ujë në ditë. Brenda pak më shumë se një jave kishte humbur shtatë kilogramë, ndërsa analizat e gjakut zbuluan se niveli i sheqerit ishte dhjetë herë më i lartë se vlera e konsideruar e qëndrueshme.

“Më thanë se isha vetëm një ditë larg komës. Nëse atë natë do të kisha shkuar të flija pa shkuar më parë te mjeku, kush e di se çfarë mund të kishte ndodhur?”, ka rrëfyer O’Brien.

Në atë kohë, adoleshenti kishte fituar tituj kombëtarë në boks dhe hurling. Ai u shtrua në spital me peshë vetëm 53 kilogramë, por dy javë pas diagnostikimit kishte shtuar shtatë kilogramë, ndërsa brenda dy vjetësh shtoi edhe 30 kilogramë të tjerë.

“Po, 30 kilogramë, e di që nuk është normale. Besoj se nëna ime ka pasur fatura të mëdha për ushqime, por unë isha i motivuar për të shtuar peshë dhe shkoja vazhdimisht në palestër.

Isha paksa naiv për të gjitha këto. Nuk e prisja kurrë që të kisha ndonjë problem të tillë, por pasi kuptova se çfarë ishte diabeti, nuk u dorëzova dhe e mora si diçka pozitive. Gjithçka filloi të funksiononte më mirë edhe nga ana fizike. Thjesht mendova: ‘Tani e di se çfarë nuk shkon, mund të vazhdoj sërish me jetën time'”, ka shtuar ai.

Sot, me gjatësi prej 1.98 metrash dhe peshë rreth 96 kilogramë, O’Brien i shfrytëzon përmasat e tij fizike për të shkëlqyer në Premierligë, sidomos kur luan në pozitën e tij natyrale, atë të qendërmbrojtësit.

Megjithatë, David Moyes aktualisht preferon dyshen James Tarkowski dhe Jarrad Branthwaite në qendër të mbrojtjes, duke bërë që irlandezi të aktivizohet më shpesh në krahun e djathtë.

Ai e kaloi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar në këtë pozitë, pasi Moyes nuk kishte në dispozicion një mbrojtës të djathtë natyral. Tashmë këtë përgjegjësi e ndan edhe me Ainsley Maitland-Niles, i cili iu bashkua Evertonit nga Lyoni në ditën e fundit të afatit kalimtar.

Për shkak të aktivizimit jashtë pozitës së tij natyrale, kishte spekulime se O’Brien mund të ishte i pakënaqur dhe madje të largohej nga stadiumi Hill Dickinson.

Por vetë futbollisti i ka mohuar këto zëra.

“Nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Nuk kam qenë kurrë afër largimit. Njerëzit e dinë se nuk jam mbrojtës i djathtë natyral, por do të luaj kudo që të jetë e nevojshme për ta ndihmuar ekipin. Ne kemi një skuadër të vogël, prandaj është e rëndësishme që secili të japë kontributin e tij.

Ka shumë mbrojtës të djathtë me role të ndryshme. E shoh që edhe Arsenali aktivizon qendërmbrojtës në atë pozitë dhe mund të marr shembuj prej tyre. Por, në fund të fundit, unë jam 1.98 metra i gjatë dhe nuk kam përmasat e zakonshme të një mbrojtësi të djathtë”, ka deklaruar ai.

O’Brien aktualisht ndodhet me Kombëtaren e Irlandës, me të cilën pritet të jetë titullar në udhëtimin ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve. Rastësisht, kjo ndeshje zhvillohet në Ditën Botërore të Diabetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat