Bosnja pëson humbje minimale në Suedi

Futboll

Bosnja pëson humbje minimale në Suedi

Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 23:06
Pamje nga ndeshja Suedia - Bosnja

Bosnja dhe Hercegovina është mposhtur nga Suedia me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar në Stokholm, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës B të Kombeve.

Boshnjakët zhvilluan një pjesë të parë shumë të dobët, ndërsa në pjesën e dytë treguan fytyrë krejtësisht tjetër, duke qenë pranë një rikthimi të madh, por në fund u desh të pajtohen me humbjen.

Suedia kaloi në epërsi që në minutën e pestë. Pas një topi të humbur nga boshnjakët në mesfushë, Anthony Elanga harkoi nga krahu i djathtë, ndërsa Daniel Svensson, i lënë i lirë në zonë, shënoi me kokë për 1:0.

Bosnja pati mundësinë të kundërpërgjigjej menjëherë, por goditja me kokë e Haris Tabakoviqit nga afërsia u ndal nga portieri vendas.

Në minutën e 11-të, Suedia dyfishoi epërsinë. Pas një ndërhyrjeje të Stjepan Radeljiqit ndaj Viktor Gyokeresit, gjyqtari akordoi penallti. Sulmuesi suedez mori përgjegjësinë dhe realizoi për 2:0.

Megjithatë, në fund të pjesës së parë, suedezët fituan edhe një penallti. Kësaj radhe, Sead Kolashinac shkaktoi ndërhyrje ndaj Daniel Svenssonit, ndërsa Gyökeres ishte përsëri i saktë nga pika e bardhë për 3:0.

Në pjesën e dytë, Bosnja u shfaq me një fytyrë krejt tjetër. Vetëm dy minuta pas fillimit të saj, Ermin Mahmiq harkoi bukur në zonë, ndërsa Armin Gigoviq shënoi për 3:1, duke rikthyer shpresën te mysafirët.

Goli u dha zemër boshnjakëve, të cilët vazhduan të sulmonin. Ermedin Demiroviq dhe Kerim Alajbegoviq patën mundësi të mira, por portieri suedez Johansson ishte në vend.

Në minutën e 62-të, Bosnja ngushtoi rezultatin. Pas një harkimi nga këndi të Allajbegoviqit, Sead Kollashinac u gjend bukur në zonë dhe shënoi golin e tij të parë me fanellën e përfaqësueses, duke e bërë rezultatin 3:2.

Rastin më të mirë për barazim Bosnja e pati në minutën e 85-të. Pas një aksioni të bukur dhe harkimit të Allajbegoviqit, Memiq goditi me kokë, por Johansson reagoi shkëlqyeshëm dhe shpëtoi portën e tij.

Në minutën e 90-të, një tjetër aksion i rrezikshëm i mysafirëve përfundoi me goditjen e bllokuar të Allajbegoviqit.
Mundësia e fundit erdhi në minutën e katërt të shtesës, Kollashinac goditi pak pranë portës.

Kështu, Suedia fitoi 3:2 dhe ruajti vendin e parë në grupin e 4-t me 13 pikë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina mbeti në pozitën e dytë me 8 pikë dhe do të luajë në barazh për inkuadrim në Ligën A të Kombeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat