Pas një periudhe të vështirë dhe një fillimi sezoni që nuk ka përmbushur pritshmëritë, Vinicius Junior del hapur për problemet që kanë ndikuar në paraqitjet e tij me Real Madridin.
Sulmuesi brazilian rrëfen prapaskenat e një vere të komplikuar, nga zhgënjimi i eliminimit në Botëror, te pushimet dhe pasiguria që e shoqëroi për të ardhmen në Madrid.
“Pas Botërorit nuk u përgatita në mënyrën më të mirë. Eliminimi ishte një goditje e fortë. Gjatë pushimeve zgjodha të pushoja dhe të kaloja më shumë kohë me familjen, duke u stërvitur më pak se vitet e tjera. Edhe situata e kontratës me Real Madridin ndikoi në fillimin e sezonit. Interesi i shumë klubeve më mbingarkoi psikologjikisht”, tha Vinicius.
Braziliani foli edhe për Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin, duke i cilësuar si shembuj të jashtëzakonshëm vazhdimësie.
“Të ruash një nivel kaq të lartë për shumë vite është shumë e vështirë. Mendoj se vetëm ata kanë arritur ta bëjnë këtë, duke ruajtur të njëjtat shifra. Jam njeri, bëj gabime, por përpiqem gjithmonë të përmirësohem. Jam 26 vjeç dhe duhet të shijoj edhe pak jetën. Megjithatë, sezoni është ende i gjatë”, tha Vinicius.
Pavarësisht kritikave dhe vetëm një goli të shënuar këtë sezon me fanellën e Real Madridit, Vinicius nuk e konsideron sezonin të humbur.
Sfida e radhës për brazilianin është më 21 nëntor ndaj Celta Vigos, ku synimi është të rikthehet te goli dhe të marrë sërish rolin e protagonistit.