Cassano për Ronaldinhon: Cirku dhe farsë. Ishte e dhimbshme për t’u parë

Futboll

Cassano për Ronaldinhon: Cirku dhe farsë. Ishte e dhimbshme për t’u parë

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 11:46
Cassano dhe Ronaldinho

Ish-futbollisti italian Antonio Cassano ka komentuar ashpër rikthimin e Ronaldinhos në fushën e futbollit. Braziliani, në moshën 46-vjeçare, është aktivizuar për skuadrën italiane të kategorisë së tretë, Ravenna, nëntë vjet pasi e kishte përfunduar zyrtarisht karrierën.

Mesfushori legjendar ishte në formacionin titullar të dielën e kaluar, në fitoren 2:0 kundër Forlì-t në Serie C. Ky rikthim i befasoi tifozët dhe opinionin sportiv italian.

Ronaldinho është një nga bashkëpronarët e klubit Ravenna. Paraqitja e tij mbushi tribunat e stadiumit Bruno Benelli, ku publiku e priti me duartrokitje të mëdha.

Në ndeshjen e tij të parë zyrtare pas largimit nga Fluminense në vitin 2015, ai mbante fanellën me numrin 10. Ronaldinho mori pjesë në aksionin që i parapriu golit të parë të Giulio Donatit në minutën e 36-të.
Braziliani luajti gjatë gjithë pjesës së parë, ndërsa në pushim mbeti në zhveshtore.

Cassano: Ishte e dhimbshme për t'u parë

Ronaldinho kishte nënshkruar me Ravennan në qershor të vitit 2026, për shkak të miqësisë me presidentin e klubit, Ignazio Cipriani.

Megjithatë, ky rikthim i shkurtër nuk i la përshtypje pozitive ish-sulmuesit të Romës, Milanit, Interit dhe Real Madridit.

Duke folur në emisionin italian Viva El Futbol, Cassano nuk i kurseu kritikat.

"Fillimisht dua të sqaroj diçka: kam respekt të jashtëzakonshëm për Ronaldinhon, si njeri dhe si futbollist. Për mua, ai vazhdon të jetë ndër pesë lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit, së bashku me Messin, Maradonën, Ronaldon Nazário dhe ndoshta Pelén", deklaroi Cassano.

"Por ajo që bëri ditën tjetër ishte vërtet e dhimbshme për t'u parë. Çfarë kërkon ai në fushë në moshën 46-vjeçare dhe në atë gjendje fizike? Nuk e kuptoj.

A e bëri këtë për shkak të marrëdhënies me Ciprianin, i cili është miku i tij? Apo sepse i kanë paguar një shumë të madhe parash? Nuk e di.

Për mua ishte një cirk qesharak. Nuk di si ta quaj ndryshe", shtoi ai.

Ndërsa tifozët shijuan mundësinë për ta parë përsëri në fushë "Magjistarin", Cassano theksoi se asnjë shumë parash nuk do ta bindte atë të bënte të njëjtën gjë.

"Unë nuk do ta bëja këtë as nëse do të më ofronin 10 milionë euro. Madje as 20 milionë.
Gjithë respektin për këtë njeri, i cili ka qenë gjithmonë modest dhe është një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.

Por, nëse më kërkoni ta vlerësoj pikërisht këtë ngjarje, për mua ishte një cirk dhe një farsë", përfundoi Cassano.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat