Necmeddin Bilal Erdoğan, djali i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryetar i Bashkimit Botëror të Etno-sportit, ka vizituar klubin saudit Al-Nassr, në prag të përballjes me rivalin Al-Ahli.
Al-Nassr do të përballet me Al-Ahlin të premten, në stadiumin Alinma në Xheda, në një ndeshje të Ligës Saudite, e cila ishte shtyrë nga xhiroja e nëntë.
Klubi Al-Nassr publikoi në rrjetet e tij sociale fotografi nga vizita e Necmeddin Bilal Erdoganit në qendrën stërvitore të klubit në Riad, të enjten në mëngjes.
Gjatë vizitës, djali i presidentit turk nuk e humbi rastin për të realizuar fotografi kujtim me yllin portugez Cristiano Ronaldo, kapitenin e skuadrës, si dhe me yllin senegalez Sadio Mane.
Bilal Erdoğan ndodhej në Riad për ceremoninë hapëse të Festivalit Botëror të Etno-sportit, i cili po organizohet këtë vit në Arabinë Saudite.
Festivali po mbahet në zonën New Murabba, në rrugën King Salman bin Abdulaziz, në kryeqytetin saudit. Në të marrin pjesë 18 shtete, të cilat garojnë në 38 sporte dhe lojëra tradicionale.
Kjo është hera e parë që festivali organizohet jashtë Turqisë.
*Al-Nassr kërkon fitoren në derbin me Al-Ahlin*
Al-Nassr e pret këtë përballje në pozitën e tretë në kampionatin saudit, me 28 pikë, dy më pak se lideri Al-Hilal dhe me pikë të barabarta me Al-Qadsiah, që renditet e dyta për shkak të golaverazhit.
Në anën tjetër, Al-Ahli ndodhet në vendin e gjashtë me 21 pikë, pas shtatë fitoreve dhe katër humbjeve, nëntë pikë larg liderit Al-Hilal.
Të dyja skuadrat kanë objektiva të rëndësishëm edhe në garat e tjera, ndërsa përballja e së premtes pritet të jetë një nga sfidat më interesante të kampionatit saudit.