Aliu viziton strehimoren “Shtëpia Ime”: Komuna e Shtimes rrit mbështetjen financiare për 50%

Kosova

Aliu viziton strehimoren “Shtëpia Ime”: Komuna e Shtimes rrit mbështetjen financiare për 50%

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 17:12
Qemajl Aliu gjatë vizitës në objektin e ri të strehimores “Shtëpia Ime”, në Shtime.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me ekipin e tij, ka vizituar objektin e ri të strehimores “Shtëpia Ime”, ku është pritur nga drejtoresha e këtij institucioni, Sevdije Kasumi-Bunjaku.

Vizita është realizuar në ditën e nisjes së fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila synon ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e shoqërisë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Përmes një postimi, Aliu ka bërë të ditur se gjatë vizitës kanë parë nga afër kushtet e reja të strehimores, e cila ofron siguri, strehim dhe trajtim për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën në familje.

Ai ka theksuar se Komuna e Shtimes ka rritur mbështetjen financiare për këtë institucion për 50 për qind vetëm gjatë këtij viti, duke rikonfirmuar përkushtimin institucional për mbështetjen e punës së strehimores.

“Lufta kundër dhunës ndaj grave nuk është vetëm betejë e një fushate, por përgjegjësi e përditshme e secilit prej nesh”, ka shkruar Aliu.

Në fund, ai ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët në ndërtimin e një shoqërie të barabartë, të sigurt dhe pa dhunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat