Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare BEYOND 2026, të organizuar nga British Council në bashkëpunim me BEYOND Studio, ku janë shkëmbyer përvoja për zhvillimin e qyteteve përmes kulturës, inovacionit dhe industrive kreative.
Rahimaj ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve të fundit, së bashku me drejtorin Selami Klaiqi, ka qenë pjesë e një programi të veçantë të shkëmbimit të përvojave ndërmjet kryetarëve të komunave të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve lokalë britanikë.
Ai ka theksuar se ishte kryetari i vetëm i një komune nga Republika e Kosovës në këtë delegacion, duke përfaqësuar Kamenicën në takimet institucionale në Salford, Manchester dhe Liverpool.
Gjatë qëndrimit në Salford, Rahimaj dhe delegacioni janë takuar me kryetarin e këtij qyteti, Paul Dennett, i cili ka ndarë përvojat dhe sfidat në zhvillimin ekonomik lokal, rigjenerimin urban dhe rolin e industrive kreative në krijimin e mundësive të reja për qytetarët.
Ndërkaq, në Liverpool, delegacioni është pritur nga Lord Mayor i këtij qyteti, William Shortall, me ç'rast është njohur nga afër me përvojën e Liverpoolit në transformimin e hapësirave urbane dhe zhvillimin ekonomik përmes kulturës, trashëgimisë dhe turizmit.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe njohja me modelin e MediaCity në Manchester, si dhe me transformimin e Liverpoolit pas shpalljes së tij Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2008.
Rahimaj ka vlerësuar se këto përvoja dëshmojnë rëndësinë që ka kultura në zhvillimin e qyteteve, duke theksuar se ajo nuk është vetëm pjesë e identitetit, por mund të shndërrohet edhe në një forcë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, kjo vizitë për Kamenicën paraqet një mundësi për ndërtimin e kontakteve të reja ndërkombëtare, shkëmbimin e praktikave të mira dhe eksplorimin e partneriteteve në fushën e turizmit, kulturës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm lokal.
Në fund, Rahimaj ka falënderuar British Council për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes në konferencën ndërkombëtare BEYOND 2026.