Mustafa në Bondsteel, takohet me ushtarët e kampit

Lajme

Mustafa në Bondsteel, takohet me ushtarët e kampit

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 17:37
Foto nga takimi

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa vizitoi kampin ushtarak Bondsteel ku bashkëbisedoi me ushtarët në këtë kamp.

Gjatë këtij takimi, ushtarët amerikan patën rastin të njoftohen me zhvillimet në sektorin e bujqësisë, punët që janë kryer deri tani si dhe për planet e së ardhmes në këtë sektor.

Ministri në detyrë Mustafa informoi të pranishmit se si ai i është qasur sfidave që i ka hasur në bujqësi.

"Për një periudhë të shkurtër kohore arrita t'a stabilizoj financiarisht Ministrinë e Bujqësisë, duke e eliminuar borxhin që kishte ministria ndaj fermerëve dhe njëkohësisht bëra që fermerët të kenë mjete të sigurta financiare për t'i kryer obligimet që kanë", u shpreh ministri Mustafa, duke shtuar se, sfiduese ka qenë periudha e mbylljes shkaku i pandemisë Covid-19 të cilës Ministria i'u kundëpërgjigj me pagesë dy herë të subvencioneve.

Siç thuhet në komunikatën për media nga ministria, Mustafa, i ftuar nga komanda në Bondsteel, foli edhe rreth institucioneve dhe popullsisë në Kosovë, që t’i familiarizojë miqtë amerikan me Republikën e Kosovës.

Qëllim tjetër i takimit, ishte edhe zhvillimi dhe thellimi i miqësisë dhe partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-ve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat