Numri i rritur i rasteve të infektimeve dhe vdekjeve me/nga koronavirusi ka ngritur shqetësimet e qytetarëve të vendit. Por, si qëndron puna me shifrat në 30 ditët e fundit?
Këto janë të dhënat e publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik [IKShPK] prej datës 25 mars [dje] e deri më 24 shkurt – që përbën një periudhë prej 30 ditësh kohë.
Këto të dhëna të rasteve pozitive dhe të vdekjeve janë ndarë në tri pjesë, nga dhjetë ditë.
Një gjë e tillë ka zbuluar një trajektore të frikshme të rritjes së rasteve nga dhjetëditëshi i parë [24 shkurt – 5 mars] në dhjetëditëshin e dytë [5 mars – 15 mars] për të eskaluar më pas në të tretin [15 mars – 25 mars].
Derisa në dhjetëfishin e parë kishim 55 persona të vdekur, në dhjetëditëshin e dytë numri shkoi në 81 dhe në dhjetëditëshin e tretë që është edhe dhjetëditëshi që sapo e kaluam, ky numër arriti në 98.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në 30 ditët e fundit është 234.
Sa i përket rasteve, trajektorja është edhe më në rritje.
Dhjetëshi i parë [24 shkurt – 5 mars] kishte 4900 raste pozitive me Covid-19.
Në dhjetëditëshin e dytë [5 mars – 15 mars] ky numër shkoi në 5779. Ndërsa në të tretin arriti në 7489 sosh.
Një krahasim mes dhjetëditëshit të parë dhe dhjetëditëshit të tretë zbulon edhe më shumë se kah po shkon vendi sa i përket pandemisë.
Dhjetëditëshi i fundit [15 mars – 25 mars] kishte pasur 2589 raste pozitive më pak dhe 43 persona më pak të vdekur.
Numri i përgjithshëm i rasteve të infektuara në këto 30 ditët e fundit është 18,168.
Nuk dihet pse IKShPK nuk bën publike përllogaritjet javore apo mujore të raporteve të pandemisë.
Gjithsej kanë vdekur 234 persona.
