Milivojeviç: UNMIK nuk mund të hiqet pa ndryshimin e rezolutës 1244

Lajme

Milivojeviç: UNMIK nuk mund të hiqet pa ndryshimin e rezolutës 1244

Nga: F.B Më: 30 qershor 2021 Në ora: 14:50
Zoran Milivojeviç

Ish-diplomati Zoran Milivojeviç, me rastin e deklaratës së drejtoreshës për strategji të OKB-së, Ketrin Polard se për mungesë të mjeteve financiare dhe miratimit të buxhetit mund të mbyllen 12 misione paqeruajtëse në botë, ndër to edhe i UNMIK-ut në Kosovë, tha se për shkaqe ekonomike mund të ulet numri i punonjësve, por formalisht statusi i misionit nuk ndryshon shkruan “Kosovo-online”, transmeton “Bota Sot”.

Sipas tij ndryshimi i statusit të misionit paqeruajtës të UNMIK-ut në Kosovë mund të ndodhë vetëm me ndryshimin e rezolutës 1244 apo miratimin e vendimit të ri rreth këtij misioni.

"Ka të bëjë me çështje financiare jo juridike, mund të ketë ndryshime në terren kur bëhet fjalë për misionin e UNMIK-ut, të zvogëlohet numri i punonjësve, apo të hiqet zyra dhe të ulen pagat. Në kuptimin teknik-fizik mund të ketë ndryshime, por jo në raport me statusin e misionit, që edhe nëse hiqet do vazhdoj të funksionoj nga selia e OKB-së”, thotë Milivojeviç.

Ai shton se çështjen e heqjes së misionit të UNMIK-ut në terren e kanë iniciuar dhe deshën ta keqpërdorin mbështetësit e pavarësisë së Kosovës, por sipas tij forcat e sigurisë së Kosovës kanë treguar pafuqi në mbrojtjen e banorëve serb siguria e të cilëve me shkuarjen e UNMIK-ut do të rrezikohet.

"Heqja e misionit në terren nxit frikën tek banorët serb në Kosovë dhe është me rëndësi që misioni i KFOR-it që është i obliguar për krijimin e sigurisë në Kosovë të vazhdojë me punën me kapacitet të plotë, ndërsa ndryshimet në terren lidhur me UNMIK-un gjithsesi do të jetë përpjekje politike për keqpërdorim. Mbështetësit e pavarësisë së Kosovës në secilën mënyrë përpiqen të vënë në pikëpyetje misionin e OKB-së në Kosovë, për të tentuar forcimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk është e re, jemi dëshmitar të përpjekjeve të tilla, nga anë të ndryshme", nënvizoi Milivojeviç.

Aktualisht në botë ka 12 misione paqeruajtëse të OKB-së në Sahara perëndimore, Afrikën Qendrore, Mali, Luginën e Golanit, Kongo, Qipro, Liban, Abeji, Sudani jugor, Kosovë, Indi, Pakistan dhe Lindje të Afërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat